THIRRJE GJITHE SHQIPTARVE KUDO QE NDODHEN

Balli Kombëtar drejtohet nga Abas Ermenji i cili është dalluar si mbrojtësi më i fortë i kombësisë shqiptare që në kohën e pushtimit fashist kur ishte ende shumë i ri. Të gjithë shqiptarët vullnet-mirë e njohin luftën e tij me armë kundër pushtuesve të huaj dhe kundër komunizmit që ishte anti-kombëtar.

THIRRJE GJITHE SHQIPTARVE KUDO QE NDODHEN

Nga Abas Ermenji

Shqiptarë!

Serbomëdhenjtë kanë ngritur forcat e rënda të ushtërisë së tyre dhe i kanë rënë Kosovës për të çfarosur popullsinë e saj prej tre milionë Shqiptarësh. Dhe këtë tmerr po e bëjnë përpara vështrimit pasiv të gjithë botës.

Kosovarët s'kërkojnë veçse të drejtën e vetëvendosjes, një e drejtë ndërkombëtare që iu është njohur gjithë grupeve etnikë, sepse qëndron në bazën e Kartës së Atlantikut dhe të Asamblesë së Kombeve të Bashkuar, por që nuk po iu njihet vetëm Shqiptarve.

Ky është një nga çastet më tragjikë që ka njohur kombi shqiptar gjatë historisë së tij, se po i vihet pyetja a kërkon të jetojë apo të shkrihet si kripa në ujë?

Shqiptarë! Mos rrini me duar kryq përpara kësaj tragjedie kombëtare, por bashkohuni të gjithë tok, në një mendje, në një qëllim, për të vdekur me nder përpara se të zhdukemi me turp.

Djalëri shqiptare! Mos e njollos traditën e të Parëve të tu, por tregohu e gjallë si të gjitha djalëritë e botës për të mbrojtur atdheun tënd, për të mbrojtur Kosovën dhe Kosovarët që janë vëllezërit e tu.

Po të mblidhemi të gjithë tok të gjashtë milionë Shqiptarët e Ballkanit - edhe ata që jetojnë jashtë Ballkanit - do ta gjejmë shpirtin e qëndresës, do t'i gjejmë edhe mjetet e mbrojtjes për t'i bërë ballë rrezikut.

Kjo iniciativë i takon Shtetit shqiptar dhe qeverisë shqiptare, nëqoftë se ata duan të tregohen në lartësinë e gjendjes, nëqoftëse duan të veprojnë jo vetëm me ndonjë lutje të vakët botës së jashtme, por edhe me mjete të tjera. Në këtë rast duhet t'iu japim të gjithë përkrahjen tonë.

Por nëqoftë se Shteti dhe qeveria nuk tregohen në lartësinë e duhur për mbrojtjen kombëtare, duhet të bashkohemi dhe të organizohemi si komb shqiptar për t'i bërë ballë gjendjes. Duhet të krijojmë forca vullnetarësh për t'iu vajtur në ndihmë Kosovarvet, se lufta e tyre është lufta për jetë a për vdekje e kombit shqiptar.

Popull dhe djalëri shqiptare! Shkunduni prej gënjeshtrave që ju bëhen, shikojeni realitetin me sy burrash, dhe hidhuni në veprim për të shpëtuar Kosovën.

Abas ERMENJI
Kryetar i Ballit Kombëtar dhe i
së Djathtës së Bashkuar Shqiptare.