Që nga koha e dyndjes së Sllavëvet, kur fiset iliriane pësuan humbjen më të rëndë që shënon historia e tyre, nuk pat njohur kombi shqiptar një lëkundje aq të fortë, një tronditje nga themelet si ajo që i solli pushtimi turk pas vdekjes së Skënderbeut. Kjo fatkeqësi i ngjau në një kohë kur Shqipëria, gjatë një shekulli, me Balshajt, Thopiajt dhe sidomos me Skënderbén po ecte drejt bashkimit politik të saj si shtet, po ngrihej si njësi ethnike, fetare e kulturore në një radhë me kombet e tjerë të Ballkanit dhe t'Evropës. Qytetet e Shqipërisë po bëheshin qëndra kuture edh'arti, zejtaria shqiptare ishte fort e përparuar, dhe gjuha shqipe kishte nisur të shkruhej, por s'na kanë mbetur dokumenta t'asaj kohe veçse formula e pagëzimit, shkruar me shkronja latinishte më 1462, dhe një copëz e Ungjillit që këndohet natën e Pashkëvet në ritin orthodoks, shkruar me shkronja greqishte. Me vetijat që tregoi si popull trim, me burrërinë e lashtë që e ka pasur gjithmonë në gjak, me energjitë që shkapërderdhi pastaj duke luftuar për botën ose duke u përndarë nëpër botë, s'mbetet asnjë dyshim se kombi shqiptar, sikur të kishte vazhduar jetën e tij të lirë si shtet i pavarur, do t'ishte ngritur në kulmet më të larta të qytetërimit, do të kishte pasur një tjetër fat, një tjetër rend, një tjetër peshë në familjen evropiane. Pushtimi turk, përveç shkatërrimit të përgjithshëm që i solli, i ra në një kohë kur s'ishte arrirë akoma bashkimi i tërë Shqipërisë si njësi kombëtare, politike e kulturore, kur nuk ishin forcuar akoma ato lidhje të brendëshme që e mbajnë një popull të pandarë dhe të pandarshëm, cilatdo qofshin rrethanat historike a stuhitë e jashtëme që përplasen mbi të. Ajo gjendje e palidhur në të cilën ndodhej kur e përfshiu vala turke, e dëmtoi shumë kombësinë shqiptare gjatë pesë shekujve të sundimit otoman. Pushtimi turk i ra gjithashtu në kohën kur popujt e Evropës delnin prej errësirës së Mesjetës në dritën e Rilindjes, në periudhën ku letrat, artet, shkencat dhe mendimi përgjithësisht, nën ndikimin e kulturavet klasike, po merrnin një hov të ri duke krijuar kushtet e zhvillimit të mëtejshëm të botës perëndimore për t'arritur në shkallën e sotshme. Shqipëria, që kishte pasur gjithato lidhje me Perëndimin, u nda si me një perde të hekurt prej rrymavet kulturore të Rilindjes evropiane, prej marrëdhënievet me botën përtej Adriatikut, dhe vazhdoi të mbetej për pesë shekuj akoma n'errësirën e Mesjetës ku e mbylli sundimi otoman.
Gjatë luftavet të paprera të shekullit XV, gjatë asaj qëndrese të paepur që bëri Skënderbeu, vendi u shkretua keqas, burrat e aftë u vranë, një pjesë e popullsisë u ther, u kap si skllave ose vdiq urie, një pjesë tjetër m'e madhe akoma mërgoi në dhe të huaj, fushat pothuajse u zbrazën, banorët e vjetër të disa qyteteve u shpërngulën prej Shqipërie.
Mërgime Shqiptarësh pat pasur edhe në shekujt e mëparshëm, sidomos në drejtim të Greqisë. Në gjysmën e parë të shekullit XIV, grumbuj të gjerë Shqiptarësh patën zbritur në Thesali, n'Atikë, në Moré e deri në n'ishujt e Egjeut, të shtytur nga Stefan Dushani, i cili desh t'i përdorte si ushtarë për qëllimet e veta dhe njëkohësisht t'i largonte prej tokavet të Shqipërisë. Theodor Spandolicio thotë se perandori i Bizantit, Jan Kantakuzeni, mbasi nuk i sundonte dot Shqiptarët, u muar vesh me mbretin e Serbisë për t'i dërguar ata si ushtarë në Moré duke iu dhënë si shpërblim tokat më të mira. Pasi u vendosën atje, ata tërhoqën edhe familjet e tyre duke e zbrazur Shqipërinë prej burravet më t'aftë e më trima, për dëm të madh të saj dhe të Krishtërimit1. Mërgimet e Shqiptarëvet gjer në jugë të Greqisë vazhduan edhe në gjysmën e dytë të shekullit XIV, gjatë sundimit të Gjin Bua Shpatës. Këta Shqiptarë patën ruajtur gjuhë e zakone gjer tani vonë dhe kanë lozur një rol të madh në luftën e pavarësisë greke dhe në rimëkëmbjen e Greqisë.
Por mërgimet e shekullit XV, që ngjajtën pas vdekjes së Skënderbeut, janë ato më të mëdhatë, dhe vazhduan valë valë në drejtim t'Italisë, sidomos në krahinat e Mbretërisë së Napolit të cilat ndodhëshin më afër Shqipërisë dhe qenë çpopullsuar nga luftat e brendëshme. Disa grupthe Shqiptarësh, t'ardhur si merçenarë nën kumandën e Dhimitër Reres më 1448, dhe të tjerë që patën mërguar në verën dhe vjeshtën e vitit 1467 për t'i shpëtuar tmerrit t'ushtërivet turke, qenë vendosur në Kalabri e Siqeli qysh përpara vdekjes së Skënderbeut. Por ikjet e mëdha rrodhën pas vdekjes së kryetrimit, prej vitit 1468 gjer më 1478-1479 me rënien e Krujës dhe të Shkodrës, duke vazhduar hove hove edhe pastaj, sidomos në vjetët 1481, 1485, 1492 dhe 1506. Masa m'e madhe e këtyre të mërguarëve ishte nga Shqipëria e jugës dhe e Mesme, prandaj u hodh në Mbretërinë e Napolit duke ndjekur udhën më të shkurtër dhe u vendos sidomos në krahinat e Kalabrisë e të Siqelisë. Kurse ata që ikën prej Shqipërisë së veriut, sikurse banorët e Shkodrës, të Leshit etj., u mërguan në Venetik dhe nëpër qytetet e Dalmacisë. Mërgimet në këto drejtime vazhduan edhe në shekujt XVI e XVII por në një shkallë më të kufizuar. Kështu, për t'i shpëtuar pushtimit turk, u larguan prej Shqipërie lart nga dyqind mijë frymë, shumica e të cilëvet kërkoi strehë n'Italinë e jugës. Më vonë, pas vitit 1532, kur Turqit shtinë përsëri në dorë qytetin Korone të Moresë (Pelloponezit) duke i përzënë që andej forcat spanjolle, mërguan n'Itali, me ndihmën e perandorit Karli V, edhe disa dhjetra mijë Shqiptarë të Greqisë (nga ata që kishin zbritur në Moré në shekullin XIV). Këta u shpërndanë nëpër kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Siqelisë, ku përhapën këngën e mallëngjyer që këndohet edhe sot: "Oj e bukura Moré!."
Në mbarim të shekullit XV dhe në fillim të të XVI-it, burimet arkivale italiane përmendin grupe Shqiptarësh të mërguar, që nga Venetiku gjer në Siqeli. Na therin zemrën edhe sot vuajtjet e këtyre fatzezve të rreckosur, t'urët e si mos më keq, mbetur udhëve të botës pa ndihmë e pa përkrahje. Një pjesë e tyre vdiqën nga uria ose nga sëmundjet nëpër skelat e Italisë. Papa Pali II, në një letër drejtuar Dukës së Burgonjës, e përshkruante kështu mjerimin e këtyre të shkretëve: "Nuk mund t'i shohë njeriu pa derdhur lot këta të mërguar që vinë nga Shqipëria nëpër skelat e Italisë, të shpërngulur nga vatrat e tyre, t'uritur e copë e trokë; këto gra me fytyra të brengosura, që rrinë anës së detit, ngrenë duart në qiell edhe qajnë e vajtojnë në një gjuhë që s'ua kuptojmë dot. Kur arrijnë n'Itali mbeten aty ku zbresin nga anijet, mbasi nuk dinë se ku të venë as dinë të merren vesh".
Ajo pjesë e këtyre të mërguarëve që u vendos në Dalmaci, në Venetik dhe n'Italinë qendrore, me kohë e humbi gjuhën edhe u shkri në popullsinë e vendit. Kurse n'Italinë e jugës, sidomos në Kalabri dhe në Siqeli, u ngul një numër m'i madh, përmbi njëqind mijë Shqiptarë që formuan fshatra e komune të tyre; prandaj e ruajtën gjuhën bashkë me folklorin, zakonet dhe traditat kombëtare gjer tani vonë. Për të ruajtur këto, i ndihmoi edhe riti fetar orthodoks, i cili i mbante të ndarë nga popullsia italiane. Kurse Shqiptarët katolikë u shkrinë më shpejt në popullsinë e vendit. Disa nga këta grupe Arbëreshësh flasin shqip edhe sot dhe këndojnë shqip në kishë e në të kremte, megjithëqë nuk kanë shkolla në gjuhën amtare. Siç do t'a shohim më poshtë, Arbëreshët e Italisë kanë lozur një rol të rëndësishëm në Rilindjen tonë kombëtare gjatë shekullit XIX.
Përveç mërgimevet jashtë atdheut, pat edhe shpërngulje të brendëshme të popullsisë. Pjesa m'e madhe e fshatarëvet të vendevet t'ulëta i la fushat edhe u fut malevet duke u mbyllur në një varfëri të mjeruarshme. Nëpër fushat hipën ferrat, kallamishtet e moçalet. Qytetet u zbrazën nga banorët e vjetër të tyre. Pjesa e kulturuar, klerikët, tregëtarët, zejtarët, ikën me shumicë prej Shqipërie duke e varfëruar vendin nga njerëzit e kulturës dhe t'artevet. Qytete të lulëzuara dhe të zbukuruara me monumente e vepra arqitekture - kështjella, pallate, kisha e manastire, me piktura e skulptura artistike - si Drishti, Sarda, Danja, Vulpiani, Petrela, Guri i Bardhë, Stellushi, Tornaçi, Sfetigradi, Shirgji, Spinarica etj., ranë dhe u zhdukën përgjithmonë. Qytetet e mëdha, me histori të vjetër, që kishin qënë me shekuj qendra kulture, tregëtie e zejtarie, si Durrësi, Shkodra, Leshi, Kruja, Berati, Kanina, Vlora, Gjirokastra etj., e humbën shkëlqimin e dikurshëm bashkë me numrin e popullsisë dhe mbetën si një kujtim i zymtë i së kaluarës.
Luftat e paprera, çfarosja e një pjese të popullsisë, shkretimi me zjarr e me hekur, mërgimi jashtë atdheut i njerëzve të kulturës, t'arteve e të zejtarisë, mërgimi i fshatarëvet ose tërheqja e tyre nëpër malet ku vdisnin nga uria, e varfëruan vendin për së tepëri, e rrëzuan shumë poshtë shkallën ekonomike e kulturore të tij, e cila në shekujt XIV e XV ishte aq e lartë sa rrinte krahas me atë të popujvet më të përparuar t'Evropës. Në shekullin XVI shihet kudo në Shqipëri një rënie e tmerrshme ekonomike e kulturore dhe e jetës qytetare.
Me gjithë vështirësitë që gjetën në qëndresën e Shqiptarëvet, sidomos nëpër krahinat malore, Turqit u munduan të vinin administratën e tyre, të bënin regjistrimin e plotë të tokavet dhe të vendosnin mbi këto regjimin feudalo-ushtarak otoman.
Qysh përpara kryengritjes së Skënderbeut, mbasi shtypën Gjon Kastriotin më 1430 dhe shkelën tërë Epirin më 1431, Turqit iu përveshën regjistrimit dhe organizimit të tokavet, të cilat i mblodhën në një sanxhak më vehte - i quajtur sanxhaku i Shqipërisë - me qendrën në Gjirokastër. Më 1432, ishte kryer pothuajse regjistrimi i parë i tokavet që përmblidhëshin në këtë sanxhak, prej Çamërisë gjer në Shqipërinë e Mesme. Mbetëshin jashtë këtij organizimi, përveç qytetevet që sundonte Venetiku, principata e Gjon Kastriotit, në veri, dhe ajo e Dukagjinëvet e cila shtrihej gjer në Kosovë. Pjesën tjetër të Kosovës dhe të Maqedonisë shqiptare e kishin shkelur Turqit me kohë, dhe bërë Shkupin, Manastirin, Kosturin baza ushtarake të tyre. Kryengritjet e Gjergj Aranitit dhe të princave të tjerë, ndërmjet vjetëvet 1433-1437, pastaj lufta e madhe e Skënderbeut, i përmbysen për disa kohë planet e Turqvet në lidhje me Shqipërinë duke i përzënë subashët dhe spahinjtë e Sulltanit. Por ca nga ca, darët turke erdhën duke u shtrënguar rreth shtetit të Skënderbeut: Gjirokastrës, Vlorës, Beratit iu shtua edhe Elbasani, ndërtuar prej Mehmetit II më 1466 mbi rrënimet e Valmit të vjetër. Këtë qytet Sulltani e bëri menjëherë qendër sanxhaku për krahinat e Shqipërisë së Mesme, kurse ato të jugës e kishin tani qendrën në Vlorë. Kështu, në vend të sanxhakut të dikurshëm të Shqipërisë q'e kish pasur qendrën në Gjirokastër, u krijuan dy. Pas rënies së Krujës dhe së Shkodrës u shtuan edhe dy sanxhaqe te tjerë me qendra Shkodrën dhe Ohrin. Sanxhakut të Shkodres iu ngjiten më vonë krahinat e Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, si edhe ato të Malit-të-Zi. Kurse me sanxhakun e Ohrit, përveç Krujës, Matit, Dibrës, u lidhën edhe disa pjesë shqiptare të Maqedonisë. Këta sanxhaqe, sikurse edhe të tjerët në Ballkan, varëshin të gjithë nga ejaleti i Rumelisë. Siç shihet, në vend që t'i mblidhnin tokat shqiptare në një sanxhak të vetëm të Shqipërisë ashtu si bëne më 1432, Turqit i ndanë këto në shumë sanxhaqe me qëllim copëtimi. Dhe këte politikë e vazhduan gjer në fund. Me riorganizimin që bëri Sulltan Sulejman Kanuniu, në shekullin XVI, tokat shqiptare u ndanë në shtatë sanxhaqe. Në jugë, përveç sanxhakut të Vlorës, u krijua edhe ai i Delvinës që përfshiu krahinat e Gjirokastrës dhe tërë Çamërinë, të cilat më parë lidhëshin me Vlorën. Në veri, sanxhakut të Shkodrës iu hoqën krahinat e Kosovës, të cilat formuan sanxhakun e Prizrendit, si edhe Peja me rrethet e Dukagjinit, që formuan sanxhakun e Dukagjinit. Kurse sanxhaku i Elbasanit edhe ai i Ohrit mbetën të pandryshuar. Të gjithë këta sanxhaqe varëshin, si edhe më parë, nga ejaleti i Rumelisë. Çdo sanxhak ndahej në njësi administrative më të vogla, të cilat quhëshin kaza ose nahije. Në krye t'ejaletit qëndronte një bejlerbej si qeveritar i përgjithshëm. Në krye të çdo sanxhaku kishte një sanxhakbej, dhe të çdo kazaje, një subash ose, siç u quajt më vonë, myteselim. Pastaj vinin, çeribashi, që ishte kumandar i gjindarmërisë së qytetit, dhe dizdari, kumandar i kështjellës. E tërë kjo hierarki ushtarake varej prej bejlerbeut.
Por baza e sistemit feudalo-ushtarak otoman ishin spahinjtë, të cilët përbënin kalorësinë turke. Këta shpërblehëshin me toka të quajtura përgjithësisht timare, nga të cilat nxirnin shpenximet për vehte e për njerëzit e tyre, dhe duhej të rendnin në luftë gjithsaherë që i thërriste Sulltani. Përveç timarevet, u krijuan edhe prona më të mëdha, të quajtura zeamete dhe hase. Këto iu ngjanin pronievet bizantine. Mbasi të gjitha tokat i përkisnin, në parim, Sulltanit, ky ua shpërndante si të donte besnikëvet të tij dhe u a hiqte kur të donte. Spahinjtë, sanxhakbenjtë etj., merrnin vetëm një pjesë të prodhimit mbi tokat që iu ishin dhënë, por nuk kishin tituj pronësie. Vetëm më vonë, në shekullin XVIII, kur Perandoria Otomane mori të tatëpjetën, e muarën edhe spahinjtë, bejlerët e pashallarët frerin nëpër këmbë dhe zunë t'i bënin prona të tyre ose çifliqe, atje ku mundnin, tokat që kishin pasur si timare a zeamete.
Përveç hierarkisë ushtarake, kishte n'administratën turke edhe një hierarki civile, në krye të së cilës qëndronin kadilerët. Këta ndanin gjyqet, sipas sheriatit ose "ligjevet të shenjta" të Kuranit, dhe rregullonin çështjet që i përkisnin së drejtës civile. Pastaj vinin nëpunësit, sekretarët, që merrëshin me shërbime të ndryshme. Në parim, kadilerët varëshin drejtpërdrejt prej Sulltanit dhe jo prej hierarkisë ushtarake. Në kohët e para, qenë shpërblyer me toka edhe kadilerët dhe nëpunësit e administratës civile. Por më pastaj, këta mbahëshin me rroga.
Si bazë e krejt legjislacionit turk qëndronte sheriati, domethënë ligji kanonik mysliman. Për t'ua përshtatur këtë zakonevet dhe konditavet shoqërore-ekonomike të krahinavet të ndryshme të Perandorisë, qenë hartuar kanunname të cilat ndryshonin sipas sanxhakëvet. Më të plotat ishin ato që u shpallën nën mbretërimin e Sulltan Sulejman Kanuniut. Por kanunnametë ndryshohëshin shpeshëherë sipas nevojavet të reja, ose plotësohëshin me anën e fermanevet (dekretevet) dhe fetfavet.
Në shekujt e parë të sundimit otoman, toka ndahej në disa lloje pronash, si ato që pamë më sipër ose edhe të tjera, me anën e të cilavet shpërblehej klasa feudalo-ushtarake që i shërbente Sulltanit. Kësi shpërblimesh iu jepëshin edhe instituteve fetare, deri edhe peshkopëve të krishterë. Por në të vërtetën këto nuk ishin prona të trashëguarshme, veçse një e drejtë për të marrë mbi fshatarin një pjesë të prodhimit, që ishte e dhjeta e zakonshme. Nëqoftëse titullari i kësaj të drejte nuk i përmbushte detyrat e tija kundrejt Sulltanit, kjo e drejtë i hiqej dhe i jepej një tjetri. Natyrisht, spahinjtë, sanxhakbenjtë etj., mund të përdornin mënyra të ndryshme për t'a shfrytëzuar fshatarin, por me ligj nuk duhej t'i mernin më tepër se një të dhjetën e prodhimit. Pastaj vinin taksat e tjera, si ispenxha që i paguhej timariotit çdo vjet prej familjevet fshatare, xhizja, ose taksë për kokë që paguanin të Krishterët, dhe xhelepi ose taksa e bagëtivet. Qytetarët, përveç ispenxhës e xhizjes, paguanin vergjinë për shtëpitë a dyqanet, dhe taksën e pazarit për shitje-blerje. Veç këtyre, kishte edhe taksa të rastit për fshatarë e qytetarë, sikurse gjobat ose taksa e nijabetit, etj.
Ndonëse me fjalën rajà, që u përdor më vonë për të Krishterët, Turqit quanin në fillim të gjithë bujqit e nënshtruar, fshatari gëzonte një farë statuti juridik në Perandorinë Otomane dhe toka që punonte ishte e tija deri sa u përhap më pastaj sistemi i çifliqevet. Timarioti s'kishte të drejtë t'i merrte më shumë se një të dhjetën e prodhimit. Gjer tani, historitë e shkruara mbi Perandorinë Otomane nuk janë akoma tërësisht të xhveshura nga paragjykimet fetare, nga urrejtjet kombëtare, ose nga përshtypja e keqe që ajo pati bërë në kohët e vona në krahasim me Evropën moderne. Por në shekujt e hershëm, nënshtetasit e saj gëzonin sigurisht liri, të drejta dhe tolerancë fetare më shumë se sa popujt e Evropës së Perëndimit. Legjislacioni i shtetit turk n'atë kohë ishte m'i përparuar se sa ai i Evropës, klasët shoqërore nuk ishin aq të ndara dhe aristokracia nuk ishte aq egërsisht e privilegjuar si në Perëndim. Dihet se, përpara Revolucionit Frëng, fshatarësia n'Evropë kishte mbetur si mushka që mbante në kurriz shtetin dhe Kishën, salltanetin e aristokracisë dhe të klerit të lartë. Për të mbajtur këtë barrë, detyrohej të jepte gjer më katër të pestat e prodhimit dhe të rënkonte tërë vitin në punë angarie. As ka krahasim midis gjendjes së fshatarit në Perandorinë e hershme Otomane dhe t'asaj në regjimin komunist të sotshëm, i cili përfaqëson formën e skllavërisë më të tmerrshme dhe më t'urrejtur që ka njohur njerëzia. Sepse banda e kriminelëvet të neveritshëm që përbëjnë partinë komuniste, jo vetëm që e shfrytëzon fshatarin gjer në palcë, po përveç trupit i torturon edhe mendjen e shpirtin duke e bërë njerinë rreckë fizikisht dhe moralisht.
Regjimi feudalo-ushtarak turk nuk mundi të vendosej dot tërësisht mbi të gjithë Shqiptarët. Malësitë, si Mirdita, Dukagjini, Malësia e Madhe, në veri, Himara, Suli e Kurveleshi, në jugë, mbetën pothuajse të lira dhe rrallëherë i paguan taksa Turqisë. Veçse Perandoria Otomane përdori të gjitha mjetet e përçarjes për t'i mbajtur Shqiptarët n'errësirë, të ndarë nga njëri-tjetri, dhe për të shfrytëzuar gjakun e tyre pa kursim. Ndonëse që në kohët e para të sundimit otoman shumica e spahinjvet dhe e tërë klasës feudalo-ushtarake q'e pat qeverisur vendin n'emër të Sulltanit ishin Shqiptarë, myslimanë ose edhe të krishterë, Turqia mundi t'a mbante Shqipërinë të ndarë e të përçarë dhe të ndalonte rreptësisht mësimin e gjuhës shqipe, me një kokëfortësi djallëzore, gjer sa theu qafën më 1912.
Ndarjevet administrative në shumë sanxhaqe, që kishin për qëllim të thyenin njësinë e vendit, iu shtua më vonë edhe ndarja fetare.
Ilirianët kanë qënë një nga të parët popuj që pranuan fenë e krishtere. Perandori q'e njohu për të parën herë krishterimin si fe zyrtare ishte Ilirian: Kostandini i Madh. Me sa kuptohet nga fjalët kishtare që përmban gjuha shqipe, të cilat vinë prej latinishtes, krishterimi tek të Parët t'onë u predikua nga misionarët e Romës. Edhe pas ndarjes më dysh të Perandorisë Romake, krahinat e dioqezës Illyricum mbetën të lidhura fetarisht me Romën. Perandori i Bizantit, Leoni III Isauriani, i shkëputi nga Roma, më 734, dhe i vuri nën Patrikun e Kostandinopojës. Por ndërmjet Patrikanës Greke dhe Ilirisë shtrihëshin si një mur pengese Bullgarët dhe Serbët, të cilët n'atë kohë ishin akoma paganë. Kështu, me gjithë përpjekjet e Kishës së Lindjes, një pjesë e mirë e Shqiptarëvet mbeti nën ndikimin e Kishës së Romës. Kur u bë ndarja e dy Kishavet më 1054, Shqipëria e veriut u gjend katolike dhe ajo e jugës, orthodokse. Por në të vërtetën nuk ka pasur kurrë kufij të caktuar ndërmjet besimtarëve të dy ritevet. Animi i shumicës së tyre nga njëra apo tjetra Kishë varej prej ndikimevet (influencavet) politike të jashtëme. Kryqëzatat me ndërhyrjet e Perëndimit, nga njëra anë, sundimi i Bizantinëvet ose i Serbëvet, nga tjetra, i patën bërë Shqiptarët (sidomos krerët e tyre) të ndërronin Kishë sipas politikës së ditës. Balshajt qenë të parët që deshën t'a këthenin të tërë Shqipërinë në katolikizëm, ndoshta për kundërshtim me Sllavët orthodoks ose për interesat që kishin me Perëndimin. Më vonë, Skenderbeu ndoqi të njëjtën politikë fetare edhe u lidh vendosmërisht me Romën.
Mbi të dy Kishat u përhap më vonë edhe islamizmi. Disa nga princat dhe krerët shqiptarë, ndoshta për arësye politike dhe sa për sy e faqe, kishin nisur të këtheheshin muhamedanë që përpara Skënderbeut, siç kemi shembullin e Gjon Kastriotit dhe të vetë herojt tonë kombëtar. N'organizimin e parë të Shqipërisë që bënë Turqit më 1432, prej 335 t'emëruarve në kumandat ushtarake ose n'ofiqet civile, më shumë se gjysmët ishin Shqiptarë të kthyer myslimanë. Kemi pasur rast të shohim emrat e Ballaban Pashës, të Jakup Arnautit, t'Ahmet Gjedik Pashës etj., të cilët ishin prej kombësisë shqiptare. Shumë nga këta kishin qënë marrë që të vegjël, si devshirmë, gjatë shpeditavet turke në Shqipëri. Me fjalën devshirmë, Turqit quanin fëmijët që rrëmbenin nëpër popujt e krishterë dhe që i rritnin pastaj nëpër kazermat si ushtarë duke i fanatizuar në fenë islame dhe në besnikërinë ndaj Sulltanit. Prej këtyre përbëhej ushtëria e famshme e jeniçerëvet. Shpeshëherë, disa nga këta dërgohëshin nëpër krahinat e vendlindjes si sundimtarë turq ose për të shtypur kryengritjet e bashkëkombasvet të tyre. Duke i njohur cilësitë luftarake të Shqiptarëvet, Turqit patën rrëmbyer shumë fëmijë në Shqipëri, disa prej të cilëvet patën arritur shkallët më të larta në Perandorinë Otomane.
Pas vdekjes së Skënderbeut, shumë krerë shqiptarë u kthyen myslimanë për të ruajtur pozitat e tyre duke e qeverisur vëndin n'emër të Sulltanit. Por populli qëndroi i krishter për më se njëqind vjet akoma. Këthimi i masavet të gjera në fenë islame ngjau në shekullin XVII dhe vazhdoi deri në të XVIII-in. Ky këthim n'islamizëm, që përfshiu dy të tretat e popullsisë, u bë pothuajse i përgjithshëm në Shqipërinë e Mesme, dhe në një shkallë mjaft të gjerë në Shqipërinë e jugës e n'atë të veriut, sidomos në Kosovë.
Arësyet e kësaj ndodhie mund të jenë të shumëta. Si një nga shkaqet hyn sigurisht ndikimi i fuqisë pushtonjëse me shtrëngimet e tërthorta, sidomos me anën e taksavet të rënda që duhej të paguanin të Krishterët. Por nuk duhet përjashtuar as ambicja e njohur e Shqiptarëvet për t'u lartësuar në grada e n'ofiqe, të cilat s'mund t'i arrinin dot po të mos këthehëshin myslimanë. Sepse Turqit, me sa dihet, nuk patën përdorur forcën drejtpërdrejt për t'islamizuar popujt e krishterë. Më të ashpër qenë treguar kundrejt Shqiptarëvet katolikë, në veri, të cilët lidhëshin me Kishën e Romës armike e papajtuashme e Turqisë. Kurse Patrikana e Stambollit ishte nën mbrojtjen e Sulltanit dhe Orthodoksit gëzonin një farë sigurie. Katolikët ishin gjithmonë gati të lidhëshin me fuqitë perëndimore, siç ngjau në kohën e luftës turko-venetikase që shpërtheu më 1645, dhe në disa raste të tjera gjatë shekullit XVII. Por Perëndimi i pat lënë gjithmonë në baltë, e prandaj, kur shtypëshin kryengritjet e tyre, pjesë të popullsisë këthehëshin n'islamizëm për t'iu shpëtuar ndjekjevet. Vetëm kur filluan luftat ruso-turke, në shekullin XVIII, pushuan shtrëngimet kundrejt Shqiptarëvet katolikë, të cilët gazonin edhe një farë mprojtjeje nga anë e Austrisë. Mirëpo n'atë kohë nisën të bëhëshin shtypje kundër Orthodoksvet që shikohëshin si aliatë të Rusisë. Prandaj disa prej këtyre përqafuan fenë islame në shekullin XVIII.
S'ka dyshim që Turqia kishte shumë interes t'a këthente myslimane Shqipërinë katolike, e cila ishte krye-ura e Perëndimit në Ballkan. Gjatë luftavet të vazhduarshme me fuqitë perëndimore, përdorte shtrëngime për t'i mbajtur Katolikët në fre. Por arësyeja m'e thellë e këthimit të shumicës së Shqiptarëvet n'islamizëm duhet kërkuar në fondin shpirtëror të tyre. Përgjithësisht Shqiptarët nuk kanë qënë një popull fetar, as nuk mund t'ishin duke mos pasur një Kishë të tyren me liturgjinë dhe librat e shenjta në gjuhën shqipe. Nuk patën formuar dot një kulturë të lartë kombëtare me një letërsi dhe histori të shkruar, një qendër të brendëshme mendimi e diturie që t'i mbante shpirtërisht të bashkuar. Prandaj s'mund të kishin as një bosht politik të tyren, rreth të cilit të qëndronin të lidhur si njësi ethnike. Gjatë shekujvet, qenë mësuar të shikonin herë nga Lindja herë nga Perëndimi, por kurrë përbrenda tyre. Kishin qënë herë katolikë e herë orthodoks. Prandaj, më vonë, nuk do t'iu jetë dukur si një gjë e jashtëzakonshme që të vështronin edhe nga myslimanizmi. Megjithatë, s'duhet harruar nxehtësia me të cilën luftuan në kohën e Skënderbeut për të mprojtur fenë e krishtere dhe zakonet. Dhe për të ruajtur këto, një pjesë e madhe e tyre u mërgua jashtë Shqipërie. Mirë po, gjatë sundimit otoman, duke mos pasur Shqiptarët një vatër fetaro-kulturore të brendëshme ku të pregatiteshin klerikët dhe duke pritur që këta t'iu vinin nga Roma ose nga Patrikana, rrugët u vështirësuan, kleri u rrallua tepër dhe ra në një shkallë t'ulët paditurie. Shumë katunde nuk dëgjonin kurrë një meshë as shihnin një shërbim fetar prej kushedi sa vjetësh. Kjo gjendje e ndihmoi përhapjen e islamizmit.
Në fillim, këthimi në fenë islame, që nisi me parësinë e vendit, ishte fare i përciptë dhe sa për t'u dukur përpara autoriteteve. Nganjëherë këthehej vetëm kryetari i familjes, i cili merrte një emër muhamedan, kurse njerëzit e tjerë të shtëpisë vazhdonin në fenë e vjetër. Shumë nga këta Myslimanë, kur mundnin, sidomos nëpër të kremtet e mëdha, shkonin edhe nëpër kishat dhe jepnin ndihma për mbajtjen e tyre. Kryepeshkopi i Tivarit, Marino Bizzi, në një letër që i drejtonte Vatikanit më 1610, shkruante: "Ditën e Shën Ilisë, kisha ishte mbushur me Muhamedanë e të Krishterë pothuajse barabar nga numri". Në të njëjtën letër, Kryepeshkopi i Tivarit pohonte se shumë prindër të krishterë i martonin vajzat e tyre me djem muhamedanë, dhe ato e vazhdonin akoma fenë e vjetër duke ua lënë deri diku edhe fëmijëvet. Vetëm nga shekulli XVIII dhe gjatë të XIX-it, një pjesë e Myslimanëvet në disa krahina u fanatizua, sidomos nëpër qytetet në Shqipërinë e Mesme dhe në Kosovë. Por pjesa m'e madhe mbeti gjithmonë e përciptë.
Pas copëtimit administrativ të vendit, ndarja e Shqiptarëvet në tri fe dhe anarkia që u krijua pastaj e përçanë kombësinë shqiptare më tepër se ç'kishte qënë në Kohën e Mesme. Përpjekjet e bëra në gjysmën e dytë të shekullit XIV dhe sidomos n'atë të XV-in me Skënderbén për bashkimin e Shqipërisë në një shtet të pavarur, u duk sikur shkuan humbur për gjithmonë. Jehona që la pas epopeja kastriotiane vazhdoi për disa kohë në malet e Shqipërisë dhe u bënë kryengritje aty-këtu, në shekujt XVI e XVII, me qëllim shkëputjeje nga Turqia. Shqiptarët ishin të gatishëm për të lëvizur saherë që shikonin një farë shprese nga jashtë, por askush nuk i përkrahte. Kur dukej sikur Spanja po hynte në luftë kundër Turqisë ose Turqit vinin në përpjekje me Hungarezët dhe Polakët, Shqiptarët kërkonin menjëherë ndihmën e jashtëme n'armë e municione, zakonisht nëpërmjet të Papës, për të bërë kryengritje. Por s'patën kurrë një ndihmë.
Në krye të shekullit XVII u mblodhën disa kuvende të rëndësishëm, sidomos ai që u mbajt në katundin Dukagjin të Matit më 1601 dhe dy të tjerë në Malësinë e Madhe, për të biseduar mënyrën e organizimit të kryengritjes dhe gjetjen e armëvet. Këto përpjekje vërtetojnë se ideja e lirisë dhe e pavarësisë nuk u shua në malet shqiptare, por erdhi duke u ngushtuar deri sa u kufizua në rrethin e krahinës a të fisit. Një dokument i vlefshëm për të treguar lëvizjet dhe mendimin e Shqiptarëvet n'atë kohë është raporti që kleriku dhe shkrimtari shqiptar, Pjetër Budi, i paraqiti Kardinalit Gozzadini, në Romë, më 1621. Budi kërkonte ndihmën e Perëndimit për të mbështetur luftën e Shqiptarëvet, të cilët ishin gati për kryengritje. Përveç disa njohurive që na jep mbi gjendjen ekonomike e shoqërore t'atëhershme, raporti i Budit hedh dritë mbi ndjenjat e përbashkëta të Shqiptarëvet, të krishterë e myslimanë, parësi e vegjëli. Në një kryengritje kundër Turqvet, shkruante Budi, të Krishterët do të luftonin bashkë me Myslimanët, me të cilët ishin në marrëveshje, dhe do të merrnin sigurisht pjesë mjaft krerë nga parësia myslimane. Sa për fortesat, mendonte ai, ato mund të merrëshin pa luftë me anën e ushtarëvet shqiptarë që shërbenin n'ushtërinë turke. Shqiptarët kishin nevojë për udhëheqës, për armë e municione, se nga numri ishin mjaft ata vetë për t'iu qëndruar Turqvet me forcat e tyre.
Ndërmjet vjetëvet 1610 e 1613 patën ngjarë kryengritje e luftime të përgjakshme në krahinat e Dukagjinit dhe të Malësisë së Madhe. Turqit dërguan fuqi të shumta, por nuk e shtruan dot vendin plotësisht. Më 1639, Kelmendasit prishën ushtërinë e Vuço Pashës, bejlerbeut të Bosnjës, që përbëhej prej 15.000 vetash. Ky iu fut Malësisë së Madhe në mes të dimrit, duke menduar se Shqiptarët nuk do të largohëshin dot prej shtëpivet me gra e fëmijë. Por Kelmendasit "me nji zān: Eja kush asht trim" - siç thotë shkrimtari shqiptar i asaj kohe, Pjetër Bogdani - "mbledhunë afër 500 vetë, vranë Vuçe Pashënë, vjetit së Krishtit 1639. E ndë nevojë mpsuen me ngranë lëkurën e qarrit possi të begatëtë majën e miellit..."
Kryengritjet e kohëpaskohëshme vazhduan edhe në jugë, sidomos në Himarë e në Kurvelesh. Por me kalimin e shekujvet, këto lëvizje e humbën kuptimin kombëtar të pavarësisë dhe bëhëshin për mospagimin e taksavet ose për të shkëputur të drejta krahinore.
Në vija të përgjithshme, Perandoria Otomane, e vuri një farë rregulli në Shqipëri, veçanërisht nëpër qytetet dhe zonat e shkelshme. Vendi nuk ishte më një shesh invadimesh nga jashtë sikurse pat qënë në të gjitha kohët, as fushë luftash feudale q'e mbanin në një trazirë të përhershme. Filloi të njihte deri diku një periudhë qetësie për të cilën kishte shumë nevojë. Prandaj, me punimin e rregullt të tokavet dhe me zgjerimin e tregëtisë, edhe ekonomia nisi të mëkëmbej nga mbarimi i shekullit XVI e në të XVII-in duke i dhënë hov zhvillimit të qytetevet. Përmirësimi ekonomik sjell, si rrjedhim të natyrshëm shtimin e popullsisë. Raca shqiptare zuri t'a merrte vehten nga hemoragjia dhe mërgimet e shekullit XV, si edhe nga topitja që ndjeu në gjysmën e parë të të XVI-it. Prodhimet bujqësore u shtuan, tregëtia filloi të hapej edhe me botën e jashtëme, një zejtari mjaft e përparuar rilindi nëpër qytetet, e cila punonte armë e pajisje kuajsh, hekurishte e bakëre, poçe e sende të drunjta, shajak e pëlhura vendi, sidomos mëndafshe, qëndima të bukura, lajlisje ergjëndi edh' ari.
Skela m'e rëndësishme e Shqipërisë u bë Vlora, prej së cilës delnin jashtë prodhime bujqësore e lëndë të para dhe hynin prej Evrope pëlhura, cohëra e të tjerë mallra të fabrikuar. Kurse qyteti m'i madh u bë Berati, si numër popullsie dhe si qendër kulture orientale. Pas këtij vinin Elbasani, Gjirokastra, më vonë e mori edhe Shkodra pamjen e dikurshme. Në Kosovë e Maqedoni, përveç Shkupit, Manastirit, Kosturit, dallohëshin Ohri, Tetova, Prizrendi, Gjakova, Peja, Prishtina, Vuçiterni, Mitrovica, Kumanova etj. Në shekullin XVIII, u ngrit përsëri Janina si kryeqendër e Epirit dhe shkëlqeu Voskopoja.
Mjerisht, kultura që përhapej nëpër qytetet ishte greke ose turko-arabe. Mbasi mësimi n'ato kohë lidhej me fenë dhe shkollat mbahëshin prej institutevet fetare, është afër mendsh që s'mund të kishte shkolla shqipe. Po edhe më vonë, në shekullin XIX, kur arësimi laik mbahej prej shtetit, qeveria turke, në bashkëpunim me Patrikanën greke, ndaloi rreptësisht çdo shkollë e përhapje mësimi në gjuhën shqipe.
Duke mos pasur kombësia shqiptare një letërsi të shkruar në gjuhën e saj, armiqtë e jashtëm janë munduar t'a shuanin e ta shkrinin nëpër kulturat e tyre me anën e kishës ose të xhamisë. Këtë lloj lufte, Grekët, Turqit dhe Sllavët ia kanë bërë me aq tërbim sa edhe luftën me armë.
Siç e pamë, pushtimi turk i ra Shqipërisë në një kohë kur kjo s'e kishte arritur akoma bashkimin e plotë si shtet e si tërësi ethnike. Një komb s'mund të ketë bashkim organik pa gjuhë e letërsi të shkruar. Ndoshta shqipja kishte nisur të shkruhej shumë kohë përpara Skënderbeut, sikurse vërtetohet nga një raport i vitit 1332 drejtuar mbretit të Francës, Philippe de Valois, prej kryepeshkopit të Tivarit, Gulielm Adam, ose, siç besohej gjer tani vonë, prej një murgu gjerman të quajtur Brokard. Në raportin thuhet: "Ndonëse Shqiptarët kanë një gjuhë më vehte krejt të ndryshme prej latinishtes, në marrëdhëniet e në gjithë librat e tyre përdorin shkronjat latine". Por si dokumenta të shkruara në gjuhën shqipe, përpara shekullit XVI, nuk kemi veçse formulën e pagëzimit, shkruar me abecenë latine më 1462, dhe një copëz t'Ungjillit të Mattheut që këndohet natën e Pashkëvet në ritin orthodoks, përkëthyer shqip me abecenë greke. Ky dokument i dytë është m'i vjetër nga formula e pagëzimit dhe hipën ndoshta gjer në shekullin XIV. Kemi pastaj një fjalorth prej nja tridhjetë e ca fjalësh dhe shprehjesh të gjuhës shqipe, si edhe numërat gjer më dhjetë, mbledhur prej kalorësit Arnold von Harff nga Kolonjë e Gjermanisë, i cili pat udhëtuar nëpër Shqipëri ndërmjet vjetëvet 1496-1499. Shënimet e kalorësit në fjalë kanë qënë botuar prej E. von Groote më 1860, dhe pjesa që i përket gjuhës shqipe është ribotuar prej Karl Hopf-it në Kronikat Greko-Romane pranë Gjenealogjisë së Muzakës më 1873.
Luftat e Skënderbeut i dhanë një vend lavdie Shqipërisë në radhën e popujve t'Evropës, dhe Shqiptarët, të mbushur me një frymë heroizmi e kryelartë përsa kishin bërë në fushën e armëvet, do t'ishin shtytur sigurisht prej sedrës kombëtare të thurnin poema mbi ato ngjarje madhështore, të shkruanin e të krijonin në gjuhën e tyre. Dhe brenda një kohe të shkurtër, shqipja do të kishte pasur letërsinë e saj. Pushtimi turk i erdhi si të ngritët që iu bie lulevet në fillim të prendverës. Pjesa m'e madhe e njerëzve të kulturës u largua jashtë atdheut duke e varfëruar vendin nga vleftat morale e mendore. Në mërgim e shkroi Marin Barleti, latinisht, veprën e famshme mbi historinë dhe trimëritë e larta të Skënderbeut. Në mërgim tregoi talentin e tij një tjetër Shkodran, Marin Beçikemi, si shkrimtar e profesor i Universitetit të Padovës. Por në mërgim u gjend edhe ai që i ngriti shqipes monumentin e parë, Gjon Buzuku. Ky, "tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja t'ëndigluom nsë Shkruomit Shenjtë e nsë dashunit së botës sane", shkroi shqip Mesharin e pavdekshëm për "me zdritunë pakë mendet" e bashkatdhetarëvet të tij. Libri i Gjon Buzukut, botuar më 1555, është m'i vjetëri i gjuhës shqipe dhe një visar i paçmuar për studimin e saj. Sepse Buzuku, i cili u lind e jetoi si duket ndë grupet e Shqiptarëvet të mërguar diku në Dalmaci, na jep të folmet e trajtat më të vjetëra të shqipes, ashtu si flitej në Kohën e Mesme. Prej tij mësojmë se dialektet e shqipes së hershme nuk ishin ashtu si sot, nuk kishin të njëjtat shtrirje gjeografike, dhe ndryshonin fort pak ndërmjet tyre. Meshari mbetet vepër monumentale në letërsinë tonë.
Mjerisht, në kushtet politike që u krijuan, punimi i gjuhës nuk vazhdoi, dhe mbi kombin shqiptar u hap ndikimi i kulturavet greke e turko-arabe. Këto desh ia ndryshuan fare ndjenjat dhe kombësinë.
Shkollat greqishte filluan të hapeshin në shekullin XVII nëpër qytete e katunde të Shqipërisë së jugës. Por u shtuan sidomos në shekullin XVIII dhe u përgjithësuan në të XIX-in, kur për hapjen e helenizmit, përveç Patrikanës, e mbështette edhe shteti grek.
Në shekullin XVI kleri i të dy Kishavet pësoi në Shqipëri një rënie të shpejtë, që vazhdoi edhe në pjesën e parë të të XVII-it. Roma u perpoq të zhvillonte një farë veprimtarie fetare me anën e Fretërvet dhe të murgjëvet bazilianë për të shpëtuar katolikizmin, ose edhe për të sjellë n'unitizëm një pjesë t'Orthodoksvet, por ndeshi në pengesa të mëdha. Turqia n'atë kohë e kundërshtonte rreptë ndërhyrjen e Kishës së Romës. Nga ana tjetër, Patrikana e Stambollit, e cila njihej prej sulltanëvet si përfaqësonjësja e popujvet orthodoks të Perandorisë, nuk hiqte dorë nga autoriteti i saj. Edhe pas pushtimit të Stambollit prej Turqvet, antagonizmi ndërmjet dy Kishavet vazhdoi si më parë. Në Shqipëri, nuk u zbut as nga përhapja e islamizmit. Patrikana e mbante vehten jo vetëm si kreu i orthodoksisë, po edhe si kreu i helenizmit dhe trashëgimtarja e Perandorisë Bizantine. Prandaj nëpërmjet të fesë kërkonte greqizimin e Orthodoksvet shqiptarë. Në këtë punë, ndihmohej edhe prej pozitës që ajo gëzonte në shtetin otoman. Me pushtimin e Stambollit, Sulltan Mehmeti II u shpall si mprojtës i Kishës Orthodokse dhe i njohu Patrikanës jo vetëm të drejtat e vjetëra n'anën fetare, po edhe fuqi juridike mbi Orthodoksit. Pas asaj kohe ajo vazhdoi të mbante ndezur e të përhapte, me anën e fesë, kulturën helenike dhe ndjenjat kombëtare greke. U përpoq të greqizonte sidomos ata popuj që nuk kishin një Kishë kombëtare të tyren, siç ishte rasti i Shqiptarëvet. Prandaj priftërinjtë që dërgohëshin në Shqipëri - dhe që pregatitëshin zakonisht ne Malin e Shënjtë - kishin për qëllim, përveç shërbimevet fetare, të përhapnin edhe greqishten si gjuhë të folur midis besnikëvet orthodoks.
Myslimanët, nga ana tjetër, hapën nëpër qytetet shkolla fillore turqishte (mektepe), ku mësohëshin elementet e para të fesë; dhe shkolla më të larta (medrese), të cilat ishin si një lloj seminari ku, përveç turqishtes mësohej arabishtja ose edhe persishtja, për të kuptuar Kuranin dhe për të zgjeruar kulturën letrare orientale. S'ka dyshim që edhe shkollat myslimane, të mbajtura prej vakëfevet, punonin për turqizimin e Shqiptarëvet.
Siç shihet, këto dy rryma fetaro-kulturore të ndryshme, të kthyera në fanatizëm, mund t'a ndanin kombin shqiptar më dysh, në dy popuj armiq. Fatmirësisht, nuk arritën punët gjer n'atë shkallë, megjithëse kjo përçarje i ka prurë dëmin më të madh kombësisë shqiptare.
Kisha katolike nuk kishte ndonjë arësye se përse t'ishte kundër arësimit shqip, prandaj jo vetëm që nuk e pengonte, po edhe e përkrahte përhapjen e mësimit në gjuhën shqipe, sikurse në gjuhët e tjera t'Evropës ballkanike e lindore. Për të pregatitur kuadrat klerikore të këtyre popujve, qenë themeluar "Kolegji i Shën Athanasit", në Romë, më 1572, "Kolegji Ilirik", në Loreto, më 1580, dhe sidomos qendra e madhe për përhapjen e fesë "De Propaganda Fide", në Romë, më 1622.
Kur më 1700 u bë papë Klementi XI Albani, i cili ishte Shqiptar nga origjina, përhapja e letërsisë fetare në gjuhën shqipe mori një shtytje më të fortë. Me urdhërin e Papës u mblodh edhe një koncil i peshkopëvet të Shqipërisë, më 1703, i cili u quajt "Koncili i Arbërit". Klementi XI u interesua për të krijuar një katedër të gjuhës shqipe në kolegjin e Montorio-s, në Romë, në 1711.
Për fat të keq, veprimtaria e Kishës katolike në Shqipëri ishte ngushtuar, numri i besnikëvet ishte zvogëluar, dhe librat shqipe nuk gjetën fushë përhapjeje. Por i dhanë shtytje mësimit të gjuhës tek Arbëreshët e Italisë, të cilët çelën shkolla, sikurse Kolegjin San Adriano, në San Demetrio Corone, në Kalabri, që lozi më vonë një rol aq të rëndësishëm jo vetëm për mësimin e shqipes po edhe në përhapjen e kulturës dhe të ndjenjavet shqiptare.
Në lidhje me arësyet e mësipërme, shkrimtarët e parë të gjuhës shqipe kanë qënë nga radhët e klerit katolik. Folëm mbi atë më të vjetërin, Buzukun. I të njëjtit shekull është Lukë Matranga, që lindi në Horën e Arbëreshevet, afër Palermos, në Siqeli, rreth vitit 1560, dhe botoi më 1592 një përkëthim katekizmi në gjuhën shqipe, me titullin Embsuame e Krështerë. Matranga e kishte rrënjën prej Himare, nga familjet e mërguara n'Itali që në shekullin XV, të cilat ruanin ritin orthodoks unit (të lidhur me Vatikanin). Vinë pastaj, në shekullin XVII, të tjerë shkrimtarë shqiptarë të Kishës katolike, të cilët përkëthyen shqip mësime fetare ose u muarën me gjuhën. Qëllimi i tyre ka qenë jo vetëm të ndriçonin bashkatdhetarët n'anën e fesë për t'i përmbajtur nga këthimi n'islamizëm, po edhe të ruanin gjuhën amtare nga humbja e bastardhimi, siç e thonë ata vetë. I pari në datë, Pjetër Budi (1566-1623), lindur në fshatin Gur i Bardhë të Matit, përkëtheu mjaft shkrime kishtare në gjuhën shqipe, si edhe një përmbledhje vjershash, disa prej të cilavet i pati bërë vetë. Përveç kësaj, Budi u përzie edhe në ngjarjet politike të kohës, siç folëm më sipër mbi letrën e tij drejtuar Kardinalit Gozzadini. Kërkonte ndihma për Shqiptarët, të cilët ishin gati për kryengritje, mendonte ai, dhe e shihte çastin të volitshëm për lirimin e Shqipërisë e të krejt gadishullit ballkanik mbasi ushtëritë turke ndodhëshin të zëna në luftë kundër Polakëvet. Përkëthimet e Budit përmblidhen në tri vepra kryesore: Doktrina e Krishterë, botuar më 1618, Pasqyra e t'Rrëfyemit dhe Rituali Roman, botuar më 1621. Këto si edhe vjershat nuk kanë shumë vleftë letrare, por janë fort të vlefshme për historinë e gjuhës shqipe dhe për frymën atdhedashëse që i mbush. Atë lutje që thuhet në një gjuhë tjetër, fjalët e së cilës s'i kupton vetë ai që i thotë, as Zoti nuk e ndëgjon - mendonte Budi: "Këto fjalë mse s'i thua mbë gjuhu tanë, ashtu si mun i ndëgjojsh ma mirë...?... se atë uratë qi s'e ndëgjon ai qi e thotë, atë as zotynë s'e ndëgjon".
Pas veprave të Budit, u botua më 1635 Fjalori latinisht-shqip i Frano Bardhit (1606-1643). Ky lindi në Kallmet të Zadrimës, studjoi në kolegjin e Loreto-s, n'Itali, dhe pastaj n'atë të Propaganda Fide-s, në Romë. Siç e thotë vetë në parathënien, e përpiloi fjalorin për "me ndihmuem mbënjanë gjuhënë tanë, qi po bdaretë e po bastardhohetë, sa ma parë të ve; e ma fort me ndihmuem gjithë atyne qi janë nd'urdhënitë Tinëzot e të shientës Kishë Katolike e s'dijnë gjuhënë latine...". Bardhi i ka shtuar fjalorit disa pjesë plotësonjëse dhe nja 113 proverba shqipe. Atje ku shënon disa emra qytetesh e fortesash të Shqipërisë, flet me shumë gjallëri për Krujën dhe për Skënderbén, të cilin e quan "Kulshedra e botës s'Arbënit... lavdi e nderja e gjithë dorësë arbëneshë".
I fundit në datë prej auktorëvet shqiptarë të shekullit XVII, por i pari krijonjës letrar në gjuhën shqipe, është Pjetër Bogdani, lindur rreth vitit 1625 në katundin Guri i Hasit, afër Prizrendit, dhe vdekur më 1689. Studjoi edhe ky në kolegjin ilirik të Loreto-s dhe n'atë të Propaganda Fide-s. Nuk u muar me përkëthime por shkroi drejtpërdrejt në shqip veprën Cuneus Prophetarum (Çeta e Profetërvet), ku rreh çështje të filozofisë e të theologjisë duke sjellë shembuj nga historia dhe jeta shoqërore shqiptare. Veprën pastaj e përkëtheu edhe italisht dhe e shtypi në dy vëllime në të dyja gjuhët (me nga dy shtylla për çdo faqe), në Padovë, më 1685. Bogdani, sikurse Budi e Frano Bardhi, arriti shpejt shkallë të larta në hierarkinë kishtare. Më 1656 ish emëruar peshkop i Shkodrës dhe më 1677 u bë kryepeshkop i Shkupit. U përfshi edhe ai, sikurse Budi, në ngjarjet e asaj kohe, u përzie në lëvizjet kryengritëse, por më në fund, për t'iu shpëtuar ndjekjevet, u shtrëngua të merrte malet dhe të hidhej n'Itali. Vepra e Bogdanit ka frymëzim fetar e kombëtar njëherësh, se të dyja këto ndjenja lidhëshin bashkë kundër sundimit turk për mprojtjen e krishterimit. Gjejmë në shkrimet e tija shumë letra e raporte drejtuar Vatikanit mbi vendet e Shqipërisë së veriut e të Kosovës, mbi qytetet e këtyre krahinave dhe mbi popullsinë e tyre. Me të njëjtin shpirt luftëtari sikurse Budi, me të njëjtën dashuri për gjuhën amtare me anën e së cilës mund të ndriçohej vetëdija e Shqiptarëve të krishterë për t'i qëndruar islamizimit, Pjetër Bogdani i fali letërsisë shqipe një nga veprat më të bukura, si nga gjuha, nga stili dhe nga përmbajtja.
Më vonë, punimi i gjuhës dhe i letrave shqipe gjeti fushë të lirë vetëm tek Arbëreshët e Italisë. Aty kemi, në shekullin XVIII, poemin e Jul Varibobës mbi Jetën e Shën-Mërisë Virgjër. Dhe lulëzimin e Rilindjes në shekullin XIX.
Kurse në Shqipëri brenda, po shtrihëshin sa më shumë dy rrymat kulturore të huaja. Në jugë, përveç shkollavet fillore greqishte, u krijuan dy qendra kulture helenike, ku jepëshin mësime të larta, në Voskopojë dhe në Janinë. Të dyja këto ushtruan një ndikim të fortë mbi Orthodoksit shqiptarë, por ajo e Voskopojës nuk vazhdoi për një kohë të gjatë. Qyteti i Voskopojës pati një ngritje të shpejtë në shekullin XVIII, si qendër tregëtie dhe zejtarie, me një popullsi që arriti në 40.000 frymë. U zbukurua me ndërtesa, kisha e monumente artistike, me kroje, kopshte e rrugë të shtruara, me shkallë e ballkone mermeresh të bardhë, të rimtë a ngjyrë trëndafili. Nuk vonoi të rritej edhe si qendër kulturore. Hapi një kolegj grek, ngriti një shtypëshkronjë dhe themeloi më 1744 një shkollë më të lartë, që u quajt "Akademia e Re". Kleri i Voskopojës varej nga Patrikana e Ohrit, e cila, duke pasur nën mvarësinë e saj popuj me gjuhë të ndryshme, ishte në kundërshtim me politikën greqizonjëse të Fanarit. Ndoshta edhe pse e mendonte që mënyra m'e mirë, për t'i qëndruar islamizimit ishte ndriçimi i popujvet orthodoks nëpërmjet të gjuhëvet amtare. Pastaj Orthodoksit e Voskopojës ishin Vllehë shumica, prandaj mësimet që jepëshin aty, ndonëse greqisht, kishin një frymë më të lirë dhe nuk pengonin përkëthimin e libravet fetare në gjuhë të tjera. Në shtypëshkronjën e Voskopojës qenë botuar shumë vepra, përgjithësisht fetare, që shpërndaheshin në tërë botën orthodokse. N'Akademinë e Re, ku jepëshin mësime të larta nga profesorë të shquar dhe rrihëshin idetë filozofike e shkencore më të reja të kohës, patën studiuar djelmosha shqiptarë t'ardhur prej krahinash të ndryshme.
Më 1767, Patrikana Ekumenike e Stambollit, që kishte përkrahjen e Sulltanit, ia hoqi titullin asaj t'Ohrit edhe e futi nën autoritetin e vet si një kryepeshkopatë. Pak më vonë, gjatë luftës ruso-turke, Voskopoja u shikua ndoshta si përkrahëse e Rusisë, prandaj u sulmua disa herë, u plaçkit e u dogj. Kështu ca nga ca e humbi shkëlqimin e dikurshëm duke rënë në radhën e një fshati. Shumica e popullsisë së saj u largua.
Ajo që ka rëndësi për neve, nga ana kombëtare, është se në shkollën e Voskopojës mund të bëhëshin përkëthime edhe shqip. Kryeprifti Theodor Kavalioti, një nga profesorët më të shquar t'Akademisë së Re, botoi një fjalor greqisht-rumanisht-shqip prej nja 1200 fjalësh dhe thuhet se desh të përkëthente shqip edhe Ungjillin. Një tjetër prift i shkollës së Voskopojës, Mjeshtër Dhanili, përpiloi një fjalorth katërgjuhësh, greqisht-rumanisht-bullgarisht-shqip. Ky nuk e fshihte se qëllimi i tij ishte që të greqizonte Vllehët, Bullgarët dhe Shqiptarët. Një nga nxënësit e Akademisë së Voskopojës, Mjeshtër Todëri (Theodor Haxhi Filipi) nga Elbasani, përkëtheu shqip disa pjesë të Dhiatës së Re dhe të liturgjisë kishtare orthodokse, por dorëshkrimet e tija kanë humbur. Ky desh të hapte n'Elbasan edhe një shtypëshkronjë për të botuar libra shqipe, por thuhet se u vra në Shqipëri nga njerëz të panjohur kur po këthehej prej Venetikut me shkronjat dhe lëndën e duhur më 1806. Duket se Mjeshtër Todëri kishte nxjerrë një abece të veçantë për tingujt e shqipes, e cila ka të ngjarë të jetë ajo që pat zbuluar më vonë albanologu J.G. Hahn, n'Elbasan, dhe që e mendonte fort të vjetër.
I gjysmës së dytë të shekullit XVIII është edhe një dorëshkrim greqisht e shqip i Kostandin Beratit, prej nja 152 faqesh, ku pjesa shqipe përmban disa lutje fetare e copa t'Ungjillit, një vjershë hymnore mbi vuajtjet e Krishtit dhe një fjalor greqisht-shqip. Shkrimet e këtilla kishin për qëllim t'ua bënin fenë të kuptuarshme Shqiptarëvet orthodoks që s'e dinin greqishten, ose edhe t'iu lehtësonin mësimin e kësaj gjuhe. Sidoqoftë, përkëthimet e Kostandin Beratit, bërë në një shqipe të pastër, kanë një vleftë gjuhësore e letrare. Në vjershën, vajtimi i Shën-Mërisë, ligjëruar në një gjuhë t'ëmbël, është mallëngjenjës. Këto pjesë shqipe janë shkruar me abecenë greke. Por në dorëshkrimin gjindet edhe një tjetër abece, ku më të shumtat e shkronjavet iu shembëllejnë atyre t'abecesë glagolitike e cirilike sllave. Me këtë janë shkruar shqip vetëm dy radhë. Vonë, më 1949, është gjetur edhe një dorëshkrim në manastirin orthodoks të Shën-Jonit, afër Elbasanit, me një abece të ndryshme nga ajo e përdorur prej Mjeshtër Todërit dhe nga tjetra që gjindet në librin e Kostandin Beratit. Po edhe kjo pështetet në shkronjat greke dhe sllave. Auktori është i panjohur. Dorëshkrimi, prej nja 58 faqesh, rrëfen, në një prozë mjaft të gjallë, vuajtjet e Krishtit dhe përmban disa copëza t'Ungjijvet. Dialekti, në vija të përgjithshme është ai i Elbasanit, por trajtat e shqipes, këtu, janë më të vjetra, prandaj besohet që dorëshkrimi të jetë i gjysmës së parë të shekullit XVIII.
Dhiata e Re u përkëthye shqip për të parën herë nën mbikqyrjen e Grigor Gjirokastritit, peshkop i Eubesë, dhe u botua në Korfus bashkë me tekstin greqisht më 1827.
Qëndra kulturore greke e Janinës që mori pastaj një zhvillim të madh, e mbajtur nga Patrikana dhe kleri grek bëri ç'ishte e mundur për greqizimin e Shqiptarëvet orthodoks.
Po edhe shkollat myslimane punonin për turqizimin e Shqitarëvet. Si qendra kulturore orientale me institute fetare e shkolla të mesme (medrese) u bënë Berati, Elbasani, Shkodra, Prizrendi etj. Në këta qytete u ngritën xhami madhështore të stilit oriental, të cilavet nuk iu mungonte bukuria artistike. Pjesa myslimane - gjithmonë nëpër qytetet - filloi t'imitonte jetën allaturka. Në shekullin XVIII, si qendra m'e lartë e kulturës orientale në Shqipëri u bë Berati, i cili nxori edhe vjershëtarë që shkruanin turqisht, arabisht ose persisht, duke imituar poetët arabe e persianë. Por mbasi këto gjuhë s'mund t'i kuptonte veçse një rreth tepër i ngushtë, disa prej këtyre shkruan edhe vjersha shqipe duke përdorur abecenë arabe. Përveç themavet me frymëzim fetar, këta këndonin dashurinë, bukurinë, ose thumbonin me disa satira zakone e padrejtësi shoqërore. Më të njohurit prej tyre janë Nezim Frakulla dhe Sulejman Naibi, nga Berati, Hasan Zyko Kamberi, nga Starja e Kolonjës. Ndërsa gjuha e Nezim Frakullës është plot orientalizma, dy të tjerët kanë shkruar në një shqipe disi më të pastër. Zyko Kamberi, në ca vjersha satirike fort të lira, si Kënga e Gjerdekut, Trahana dhe Paraja, shpotit disa zakone shoqërore ose shfryn kundër shkaqeve të varfërisë. Me abecenë arabe kanë shkruar edhe vjershëtarë ose bejtarë Shkodranë, si Mullah Hysen Dobraçi, Mullah Sali Pata, e të tjerë; po ashtu edhe disa ashikë të fesë, syni, bektashi a të ndonjë tjetër tarikati, nga viset e ndryshme të Shqipërisë. Veçse shkrimet e këtyre të fundit janë një përzjerje turqisht-arabisht-persisht, prandaj për shqipen s'kanë asnjë vleftë letrare. Në radhën e vjershëtarëvet myslimanë që shkruan me abecenë arabe nuk mund të mos përmendet Muhamet Çami (ose Kyçyku) nga Konispoli, lindur më 1784 dhe vdekur më 1844. Ky prodhoi shumë vjersha, zakonisht me përmbajtje morale, një pjesë e të cilavet ka humbur. Njihet për novelën e gjatë në vjershë Erveheja, shkruar aty nga viti 1820, dhe botuar prej Jani Vretos më 1888. Muhamet Çami kishte shije e përfytyrim poeti. Mëkat që gjuha e tij është e ngarkuar me orientalizma!
Por krijimet e vërteta të kombit shqiptar përmbahëshin gjer vonë në folklorin e tij, domethënë në këngët e tregimet popullore. Këto paraqesin një ndryshmësi të pasur ndjenjash e gjykimesh, trajtash e përmbajtjesh, sipas kohëvet, krahinavet dhe ndikimeve kulturore të jashtëme. Por në thellësi pasqyrojnë fondin shpirtëror të popullit shqiptar, fuqinë krijonjëse dhe pamjen e gjerë të tij mbi botën e mbi jetën. Shqiptarët, që rrjedhin nga një racë e shëndoshë dhe kanë jetuar gjatë dy mijë vjetëve midis kulturavet greke e latine, nuk mund të mos kishin shkallën e vleftavet morale, kuptimin e lidhjevet njerëzore, horizontin e mendimit dhe fantazinë krijimtare të tyre. Në mungesë të një letërsie të shkruar, ndjenjat e gjykimet në lidhje me çfaqjet e ndryshme të jetës i kanë shprehur nëpër këngët, fjalët e urta, përrallat, tregimet e gjithë ç'ka rrjedhur nga goja e popullit. Ndonëse këto nga trajta e përmbajtja ndryshojnë prej krahinës në krahinë ose prej një kavaljeti historik në tjetrin, kanë gjithmonë diçka të përbashkët që i lidh e i dëften si shprehjen më të çiltër të mendësisë dhe të frymës fisnike të kombit tonë. Tek Shqiptarët e veriut, që kanë jetuar të mbyllur nëpër malet e tyre, vendin e parë në folklor e zë poezia epike me tërë mithologjinë, legjendat dhe figurat madhështore që ajo përmban. Këto këngë kreshnikësh që nganjëherë përbëjnë qerthuj rreth figurash qendrore, këndohen të shoqëruara me lahutë, si dikur rapsoditë homerike. Virtytet e burrërisë së lashtë, besa, nderi, mikpritja, ndorja, urtia e trimëria, që rrethonin me lavdi Shqiptarët e dikurshëm, iu japin frymë e shpirt këtyre poemave. Në malësitë e veriut është ruajtur edhe Kanuni i Lek Dukagjinit, pothuajse ashtu siç ishte në Kohën e Mesme.
Folklori i Shqipërisë së jugës, ku strukturat shoqërore kanë qënë më të përparuara, paraqet një ndryshmësi më të madhe trajtash e ndjenjash. Poezia epike është mbajtur e fortë edhe aty, por në vend të lahutës, këndohet e shoqëruar me valle trimërie. Përveç kësaj, ka edhe një lulëzim poezish lirike a baritore, t'ëmbëla e të kërthnezta, që këndojnë buzëqeshur gëzimet e jetës.
Poezia popullore e Arbëreshëve t'Italisë këndon me theksa të mallëngjyer kujtimet e atdheut të parë dhe t'epopesë kastriotiane, rreth së cilës janë thurur qerthuj e legjenda, si te Kënga e Sprasme e Balës.
Legjendat dhe qerthujt e poezisë epike të folklorit shpiptar vinë që nga kohë e Mesme, por gjatë sundimit otoman janë myslimanizuar emrat e kreshnikëvet dhe futur në përmbajtjen elemente të reja. Kështu për shembull në legjendën Kostandini i Vogëlith, aq e përhapur tek Arbëreshët e Italisë, emri Kostandin u zëvëndësua në Shqipëri gjatë sundimit turk me atë t'Ago Ymerit. Po ashtu ngjau edhe në legjendën Kostandani e Garentina. Në qendër t'epikës popullore shqiptare qëndron qerthulli i Gjeto Basho Mujit e Sokol Halilit, ashtu si është ruajtur në malësitë e veriut e në Kosovë. Këta dy vëllezër, figura mithologjike mesjetare me trajta gjiganti e me forcë të mbinatyrshme, të mprojtur nga Orë e Zana, luftojnë me topuz e me shpata kundër "krajlit" të Shqehvet, bjenë në "Kotorre të Reja", shkojnë gjer në Zarë, në Danub e në Det të Zi. Por gjatë sundimit turk emrat e kreshnikëvet janë myslimanizuar, në këngët e tyre kanë hyrë jo vetëm figura të historisë së pastajme si "mbret Sylejmani", "Çuperli Veziri" etj., po edhe elemente të qytetërimit të mëvonshëm, që bëjnë, anakronizma me kuadrin mesjetar. Ndryshime të këtij lloji kanë pësuar edhe rapsoditë që lidhen me figurën përrallëzore të Gjergj Elez Alisë.
Qerthulli i këngëvet epike që kish nisur të formohej rreth figurës së Skënderbeut, në shekullin XV, u mbajt tek Arbëreshët e Italisë si kujtim i pavdekshëm i epopesë së lavdishme dhe frymëzoi më vonë poetët e tyre.
Në kohët e reja, u krijuan në Shqipëri mjaft këngë popullore rreth Ali Pashë Tepelenës.
Ndonëse rapsodive t'epikës popullore shqiptare iu mungon organizimi dhe paraqesin shumë përzjerje e variante, për nga fuqia e shprehjes dhe e përfytyrimit, nga vlefta poetike përgjithësisht, mund të rrinë krahas me krijimet më të larta t'epikës botërore.
Nuk mund të flitet për folklorin shqiptar pa përmendur edhe përmbledhjen e ligjevet zakonore, siç paraqiten në Kanunin e Lek Dukagjinit. Sepse jo vetëm jeta e popullit, po edhe vepërimet e kreshnikëve të poezisë popullore rregullohëshin sipas këtyre ligjeve, në themel të të cilavet qëndrojnë besa, nderi e mikpritja. S'ka dyshim që ligjet zakonore të Shqiptarëvet janë shumë të vjetëra, sepse gjejmë nër'to disa gjurma konceptesh juridike prej qytetërimevet më të lashta të njerëzisë. Dhe duket që këto ligje ishin të pergjithshme në tërë Shqipërinë gjer në kohën e pushtimit turk. Si kriter moral e juridik, Kanuni i Lek Dukagjinit qëndron më lart jo vetëm nga ligjet zakonore të këtij lloji që kanë pasur popujt e tjerë, si e drejta gjermanike për shembull, po edhe nga legjislacionet e Evropës së qytetëruar gjer me Revolucionin Frëng. Pse ndërsa n'ato ligje të drejtat e njeriut ndryshonin sipas klasëve shoqërore a sipas forcës që ai paraqiste, në Kanunin e Shqiptarëvet të gjithë njerëzit mbahen të barabartë përpara ligjit, të çfarëdo cilësie a radhe shoqërore qofshin, dhe gjaku i tyre ka të njëjtën vleftë. Një tjetër veçori e Kanunit të Shqiptarëvet është mënyra demokratike, në formën më të thjeshtë, pas së cilës vetqeveriset fisi ose krahina. Nuk ka sundim tiranik. Çështjet gjyqësore shikohen prej këshillit të pleqvet, kurse vendimet e një interesi më të përgjithshëm merren prej kuvendit, domethënë prej mbledhjes së popullit, ku bën pjesë nga një burrë për familje dhe gjithsekush ka një zë. Kjo mënyrë vetqeverimi duket se është shumë e vjetër tek Shqiptarët, mbasi e përmend Straboni qysh përpara Krishtit kur flet për Maqedonasit, Epirotët dhe Ilirët. Ndonëse këta popuj patën formuar mbretërira, në të vërtetën - dëshmon gjeografi i madh - qeverisëshin prej disa këshilleve të parësh që i quanin plakoni, domethënë pleqësi. Ky lloj autoriteti ka qënë aq i rrënjosur tek Shqiptarët sa, kur duan të ndajnë një çështje, thonë: t'a hedhim në pleq.
Degët e tjera t'artit, si muzika, arqitektura, skulptura e piktura, nuk kanë qënë të panjohura në Shqipëri, dhe në disa kohë patën arritur shkallën më të lartë sikurse na e vërtetojnë sot gërmimet arkeologjike. Nuk është vendi të zgjatemi këtu mbi muzikën ose mënyrën e të kënduarit të Shqiptarëvet, vetëm me zë apo të shoqëruar me vegla. Se ajo ndryshon prej krahinës në krahinë, prej kohëvet në kohë, ka pësuar ndikimin e muzikave të jashtëme, greke, bizantine, sllave, orientale, dhe paraqet një përzjerie të gjerë motivesh tonesh e melodish. Në këngët e malësorëvet, sidomos në jugë janë ruajtur akoma elemente të jetës baritore, imitim i këmborëve dhe i oshëtimave të natyrës. Shqiptarëvet iu ka pëlqyer në të gjitha kohët kënga, vallja e muzika.
Si arqitekturë, pushtimi turk nuk solli shumë elemente të reja përveç xhamivet, tyrbevet, dhe ndonjë ndryshim të vogël në banesat e qytetarëve të pasur myslimanë. Po edhe xhamitë, si element të ri kishin minarenë dhe planin e përgjithshëm që shpeshëherë ishte rrotullar ose poligonal, në shembull të tempujve të vjetër; kurse kubeja, harqet, shtyllat e sofatit etj., nuk ndryshonin nga ato të kishavet bizantine. Hamamet që u ndërtuan nëpër qytete ishin një vazhdim i banjavet bizantine dhe s'kishin asnjë zbukurim nga jashtë. Shtëpitë e Shqiptarëvet ruajtën përgjithësisht formën e thjeshtë si më parë. Vetëm banesat e bejlerëve dhe pasanikëve myslimanë që deshën t'imitonin jetën allaturka, ndahëshin tani në dy pjesë: në haremllëk, ku rrinte familja dhe në selamllëk, ose pjesa e pritjes, ku qëndronin burra, miq, shërbëtorë e qehallarë. Ndërtimet botore, ura, fortesa, e të tjera, vazhduan sipas teknikës dhe stilit të vjetër bizantin ose venetikas. Përsa iu përket kishavet, gjer aty nga shekulli XVII nuk u ndërtuan të tjera veç atyre që kishin mbetur nga Kohë e Mesme, të stilit bizantin për Orthodoksit. Katedralet katolike të dikurshme ishin prishur e rrënuar. Kishat që u ndërtuan pastaj qenë të thjeshta dhe pa vleftë artistike. Tek Orthodoksit, kishat e reja, për të mos rënë fort në sy, u larguan prej stilit të bukur bizantin në trajtë kryqi dhe me kube të dukëshme. Ato janë katërkëndshe, me kube të mbuluara prej çatisë, me një ose tri gunga gjysëm-rrethi n'anë të lindjes, dhe iu ngjajnë nga jashtë shtëpivet të zakonshme.
Mbasi paraqitja e qenievet të gjalla, sidomos e fytyrës së njeriut, në pikturë e skulpturë nuk pajtohej me traditën e fesë islame, s'mund të pritej një lulëzim i këtyre arteve nën pushtimin turk. Xhamitë, përbrenda, si zbukurim ngjyrash, zakonisht të kaltërta, kishin piktura arabeskesh dhe versete të Kuranit paraqitur në bukurshkrim arabisht.
Por piktura kishtare, gjatë kësaj kohe, ka njohur dorën e disa artistëve të vërtetë shqiptarë, m'i shquari i të cilëve mbetet mjeshtër Onufri nga Elbasani, që jetoi në shekullin XVI. Artin e këtij e vazhdoi edhe i biri, Nikolla. Këta të dy zbukuruan me freske të një vlefte të rrallë artistike disa kisha orthodokse, por mjerisht, prej moskujdesjes, kryeveprat e tyre kanë pësuar dëmtime. Duke u larguar prej artit konvencional t'ikonavet bizantine fytyrë-ngrira e pa shprehje, Onufri iu ka dhënë figurave biblike dukjen e njeriut të gjallë, me tipare plot jetë, me vehtje të dalluar, në një paraqitje tërë shprehje e lëvizje. Të pamit dhe veshja e tyre ka diçka të ngjashme me tipin e Shqiptarit. Prej freskevet t'Onufrit kanë mbetur në kishën e Shën-e-Premtes së katundit Valësh, në Shpat, ikona e Grigor Theologut, kryevepër e vërtetë, dhe Gratë nën Kryqin. Në kishën e Shelcanit, po në Shpat, gjinden dy ikona profetësh, njëra e Davidit. Në pikturën e Grigor Theologut artisti është dëftyer dorëlumtur, se ka ditur të japi jo vetëm paraqitjen e jashtëme në një harmoni të mbaruar përpjestimesh e lëvizjesh, po edhe forcën e pjekur të mendimit në shprehjen e fytyrës.
Përveç dy kishave të Shpatit, e ndoshta të tjera që s'i dimë, Onufri pat zbukuruar me ikona edhe kishën e Shën-Theodhorit, në Berat. Por në këtë qytet punoi sidomos i biri, Nikolla. Pikturat e këtij në kishën e Shën-Mërisë Vllaherna, në kështjellën e Beratit, kanë pësuar mjerisht dëmtime të medha. Shquhet akoma midis tyre ikona e Shën-Jan-Pagëzorit, veshur pothuajse me petkun shqiptar.
Në shekullin XVIII u shquan të tjerë piktorë kishtarë shqiptarë, sikurse David Selenica, i cili mbaroi fresket e kryekishës së Shën-Kollit në Voskopojë, rreth vitit 1726, dhe Kostandin Shpataraku, një murg që ka pikturuar ikonat e shumë kishave, në Vithkuq, Ardenicë, Kavajë e në manastirin e Shën-Gjon Vlladimirit n'Elbasan. Edhe kujdesi i David Selenicës ka qënë që t'iu jepte figuravet të tija sa më shumë lëvizje e shprehje jete.
Siç shihet, në kohën e Skënderbeut dhe përpara atij, Shqiptarët e quanin vehten Arbëreshë. Kështu quhen edhe sot Shqiptarët e Greqisë që janë mërguar në ato vende përpara epopesë së Skënderbeut, si edhe Shqiptarët e Italisë së jugës, që e lanë vendin tonë pas asaj epopeje.
Si qëlloi që, gjatë sundimit turk, Shqiptarët u quajtën me emrin që kanë sot? Emri Shqiptar dhe gjuha shqipe nuk besohet të kenë asnjë tjetër prejardhje përveç shqipes që përbën simbolin e flamurit të Skënderbeut.
Pas vdekjes së kryetrimit, Shqiptarët nuk u nënshtruan menjëherë ndën Turqit. Ata vazhduan për shumë kohë përpjekje e kryengritje, qofshin krahinore (në veri a në jugë), qofshin në një lidhje më të gjerë, për t'u çliruar nga zgjedha turke. Këto lëvizje ishin të frymëzuara prej kujtimesh të Skënderbeut dhe të shqipes së tija dykrenore. A nuk u kënduan trimëritë e herojt legjendar nëpër raste solemne, për dhjetra vjet me radhë, nga burra, gra e vajza, si himnet përkujtimorë të herojve klasikë?
Duket se Shqiptarë u quajtën ata që ecnin pas shqipes, ose partizanët e shqipes, që ndiqnin akoma flamurin e Skënderbeut, domethënë luftën e tija. Ky emër pastaj u përgjithësua dhe përfshin tërë Shqiptarët pa përjashtim.
Nuk na duket të ketë një shpjegim tjetër më të përshtatshëm mbi kthimin e emrit Arbëreshë në emrin Shqiptarë.
Thamë se në Kohën e Mesme sistemi otoman - si organizim, si administratë, si legjislacion, edhe si liri fetare e shoqërore - qëndronte më lart nga ai i Evropës së "qytetëruar". Por pastaj punët ndryshuan në drejtim të kundërt: ndërsa Evropa perëndimore shkonte drejt përparimit me zgjerimin e kulturës, të shkencavet, të teknologjisë, me çpikjet e reja, me zbulimet e mëdha gjeografike që ndryshuan boshtin e shkëmbimevet botërore, me rritjen e prodhimit, me shtrirjen e tregëtisë, me krijimin e klasëvet borgjeze, me formimin e monarkivet të përqendruara, - Turqia mbeti e ngrirë në sistemin e vjetër dhe mori të tatëpjeten. Prej shekullit XIV gjer në të XVII-in, Perandoria Otomane ia pat detyruar epërsinë e saj organizimit feudalo-ushtarak të lidhur me fanatizëm rreth Sulltanit, kundrejt ushtërive të pa-organizuara dhe feudalizmit të çthurur të Perëndimit. Por pastaj nuk dijti ose nuk mundi t'iu përshtatej kushteve të reja të qytetërimit, të teknologjisë dhe t'organizimit në lidhje me forcat evropiane, e prandaj shkoi duke rënë poshtë. Në gjysmën e dytë të shekullit XVII, vezirët Qypërlinj, të cilët ishin Shqiptarë, i dhanë Turqisë një rimëkëmbje të përkohshme, por nuk mundën t'a ndryshonin në thellësi strukturën e saj, që lidhej me fanatizmin e vjetër, me mozaikun e popujvet q'e përbënin, me mithin e Sulltanit e të tjerë faktorë shoqërorë e psikologjikë. Kështu dekadenca e brendëshme dhe disfatat e jashtëme të Perandorisë Otomane vazhduan të pandalshme.
Duke ndryshuar kohët, filloi të çthurej edhe organizimi i vjetër ushtarak otoman me sistemin e spahijvet, që përbënin forcën e kalorësisë turke. Perandoria po pësonte disfata, autoriteti i Stambollit nisi të dobësohej, spahinjtë nuk gjenin më vënde të reja për të rrëmbyer e grabitur, prandaj s'po iu përgjigjëshin as thirrjevet për të vajtur në luftë dhe s'po iu qëndronin detyrimevet. Timaret dhe zeametet që patën shfrytëzuar në shekujt e mëparshëm si shpërblim për shërbimet e tyre, nisën t'i këthenin në prona trashëgimtare. Kështu, nga fillimi i shekullit XVIII, zu të përhapej sistemi i çifliqevet në fushat dhe luginat pjellore të Shqipërisë. Në tokat e ulëta bregdetare u formuan prona të mëdha nën zotërimin e bejlerëvet dhe të pashallarëvet që gjoja qeverisnin vendin n'emër të Sulltanit. Ndërsa me sistemin e vjetër të timarevet bujku mbetej i zoti i tokës dhe i merrej vetëm një e dhjeta e prodhimit, me sistemin e çifligjevet toka u bë pronë e çifligarit, i cili i merrte bujkut një të tretën e prodhimit dhe mund t'a përzinte kur të donte. Ky sistem u përhap sidomos në krahinat e shkelshme, ku mund t'ushtrohej forca e feudalëvet.
Legjislacioni turk kishte mbetur gjithmonë ai i vjetëri, në bazë të sheriatit, megjithëse kanunnametë ndryshohëshin kohë pas kohe. Mësimi varej gjithmonë prej institutevet fetare, dhe gjyqet prej kadilerëvet. Nëpër malësitë e pashkelshme, ku administrata turke gjente vështirësi për t'u vendosur, Shqiptarët vazhduan të rregullohëshin midis tyre sipas ligjeve të vjetëra zakonore. Këto vinin nga i njëjti trung, por kishin emra të ndryshëm sipas krahinavet: u quajtën Kanuni i Lek Dukagjinit, në rrethet e Dukagjinit, Kanuni i Malevet, në Malësinë e Madhe, Kanuni i Skanderbegut, në malësitë e Krujës, të Dibrës e të Matit, Kanuni i Papa Zhulit, në Himarë e Kurvelesh. Për çdo katund, fis a krahinë, këshilli pleqvet ose kuvendi gjykonin dhe merrnin vendimet.
Në malësitë e veriut, ndarja e popullsisë në fise vazhdoi edhe gjatë pushtimit otoman. Fisi përmblidhte një numër familjesh a katundesh që mendohej se rridhnin nga një gjak (stërgjysh) i përbashkët; dhe i përgjigjej fjalës latine gens ose greke fratri, në të cilat ndahej popullsia e Romës dhe e Greqisë së vjetër. Edhe në Shqipërinë e jugës popullsia ndahej dikur në farë (me të njëjtin kuptim si fisi). Por me zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë, farët u zbërthyen, megjithëse flitej akoma për farët e Sulit në fillim të shekullit XIX. Fjala farë, në jugë, përdoret sot për një grup familjesh që janë kushërinj të largët ndërmjet tyre, por jo në kuptimin e gjerë të fisit si në veri.
Duke iu lënë malësivet një gjysëm autonomie, sidomos Dukagjinit, Mirditës dhe Malësise së Madhe, në veri, Himariotëvet dhe Suliotëvet, në jugë, Turqit u munduan gjithmonë të nxirnin taksa ose haraçe prej tyre, e veçanërisht të shfrytëzonin vleftën ushtarake t'atyre malësorëve nëpër luftat e Perandorisë. Me këtë qëllim krijuan në malet e veriut dhe të veri-lindjes sistemin e bajraqevet, duke caktuar nga një bajraktar për çdo fis ose krahinë që përbëhej prej disa fisesh. Siç e tregon edhe emri vetë (fjala bajrak do të thotë në turqisht flamur), detyra e bajraktarit ishte që t'iu printe burrave të fisit a të krahinës së tij dhe të shkonte për të luftuar atje ku t'a urdhëronin autoritetet turke. Sikurse titulli i spahiut a i beut, ashtu edhe ai i bajraktarit mbet si trashëgim në të njëjtën familje. Por ndërsa të tjerët shfrytëzonin në radhë të parë djersën e bujqvet, bajraktarët shisnin gjakun e malësorëvet si merçenarë.
Kalbësimi i administratës dhe i strukturave të shtetit feudalo-ushtarak otoman paraqiste një pamje të kundërt me ngritjen e shkallës ekonomike të vendit dhe zhvillimin e qytetevet. N'atë kohë nuk kishte kufij të mbyllur kundrejt qarkullimit ekonomik të përbotshëm, prandaj edhe prodhimtaria shqiptare lidhej jo vetëm me nevojat e brendëshme që shtohëshin vazhdimisht, por deri diku edhe me nxitjen e tregjeve të jashtëm. Zhvillimi i industrisë së madhe n'Evropë gjatë shekujve XVII e XVIII dhe zgjerimi i tregëtisë së përbotshme, duke shtuar vëllimin e prodhimit, shkëmbimet dhe nevojat, nuk mund të mos i jepnin shtytje ringjalljes ekonomike në krahinat e Perandorisë Otomane. Pra edhe në Shqipëri ekonomia fshatarake ose natyrore hyri në një qarkullim tregëtar më të gjerë, marrëdhëniet u shtrinë ndërmjet krahinash të largëta, monedha u përhap kudo si mjet shkëmbimi, lëvizja e mallravet dhe e parasë solli krijimin e një farë borgjezie nëpër qytetet, e cila i shtohej klasës së feudalo-ushtarakëvet, të nëpunësvet dhe të klerit. Me pasurimin e shtresës së lartë të shoqërisë, sidomos të bejlerëve e të pashallarëve, shtohëshin edhe nevojat për banesa të bukura ose shtëpi të mëdha, për takëme e për llukse. Shtytja e tregëtisë së jashtëme dhe krijimi i nevojave të brendëshme nga njëra anë, shtimi i popullsisë nga ana tjetër, i dhanë shkas zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjes së qytetevet, ringritje që kish filluar në shekullin XVII dhe që arriti në një shkallë mjaft të lartë në të XVIII-in. Për të plotësuar nevojat e reja, shkëmbimet me tregjet e jashtëm erdhën duke u shtuar, zejtaria e vendit mori hov, qytetet u bënë qendra të rëndësishme ekonomike e kulturore, ndonëse tani paraqitnin tiparet e Orientit. Tregëtarët shqiptarë shisnin përjashta prodhime bujqësie e blegtorie, si drithë, ullinj, vaj, gjalpë, lesh, lëkura, ose edhe punë-dore të zejtarisë, dhe sillnin mallra t'industrisë evropiane. Dy qendrat ekonomike më të mëdha të Shqipërisë u bënë Shkodra dhe Berati. Vinin pastaj Voskopoja, Elbasani, Vlora, Durrësi, Ulqini, Prizrendi dhe Peja. Disa prej këtyre qyteteve, përveç shkëmbimevet të brendëshme, bënin një tregëti të jashtëme shumë të gjerë, që shtrihej jo vetëm në tërë Ballkanin, po deri në skelat e largme t'Adriatikut e të Mesdheut. Vendin e parë e zinte Shkodra si kryeqendër tregëtare për qarkullimin e mallravet ndërmjet skelave të Perëndimit dhe krahinave të brendëshme ballkanike. Tregëtarët e mëdhenj të Shkodrës kishin agjensitë e tyre jo vetëm n'Ulqin, në Durrës, në Prizrend e të tjera qytete të Shqipërisë, po edhe përjashta deri në Triestë e në Venetik. Një rol të këtillë nisi t'a loste më vonë edhe Durrësi. Në Kosovë e Rrafsh i Dukagjinit, dy qendrat tregëtare më të mëdha, që lidhëshin mënjanë me Shkodrën, n'anën tjetër me Shkup, Tetovë e Prishtinë, ishin Prizrendi dhe Peja. Kurse në Shqipërinë e jugës, gjer nga gjysma e shekullit XVIII mbahej Berati si qendra ekonomike m'e madhe e si qyteti m'i përparuar. I lidhur me skelat e Vlorës e të Durrësit dhe duke pasur një zejtari fort të zhvilluar, Berati bënte tregëti të gjerë me tërë Toskërinë dhe Shqipërinë e Mesme. Dallohej gjithashtu nga ndërtesat, zbukurimet dhe kultura orientale. Në Berat e kish ngrehur qendrën e tij edhe sanxhakbeu i Vlorës. Udhëtari turk Evlia Çelebiu, q'e pati vizituar Beratin rreth vitit 1670 thotë se qyteti kishte 30 lagje, 5 medrese, shumë xhami me arqitekturë madhështore, banja publike, kafene të bukura anës lumit, ku mblidhëshin shkollarë e vjershëtarë për të biseduar mbi çështje diturie. I njëjti auktor na ka lenë edhe mbi Elbasanin një përshkrim të mrekulluarshëm, që duket i pabesuar, dhe mjaft njoftime mbi qytetet e tjera të Shqipërisë. Sidoqoftë, Berati nuk vazhdoi të mbante vendin e parë si kryeqendër ekonomike e Toskërisë. U zhvillua rreth tij Voskopoja, për të cilën kemi folur më sipër, Elbasani, që nuk mbetej pas as nga kultura, dhe sidomos Janina, që zuri vendin e vjetër si kryeqëndër e Epirit. Krahinat e Përmetit, Gjirokastrës, Delvinës u shkëputën prej lidhjevet tregëtare me Beratin dhe, bashkë me Çamërinë, u mblodhën rreth Janinës, e cila u bë një nga qytetet më të lulëzuara të Ballkanit.
Zejtaria shqiptare kishte qënë fort e përparuar në shekujt XIV e XV, dhe punë-e-dorës së saj kërkohej mirë në tregjet e jashtëm. Mërgimet e mëdha që shkaktoi pushtimi otoman e rrëzuan përkohësisht. Pastaj u ringjall, por duke prodhuar sende të tjera sipas kohës dhe nevojave të reja të shoqërisë. Në shekullin XVIII, përveç veglave të punës zakonisht prej hekuri, përveç enëve prej balte a prej druri dhe pajisjes për kuaj, zejtarët shqiptarë prodhonin gjëra lluksi artistikisht të bukura, si orendi shtëpish, pëlhura mëndafshi, liri e pambuku, veshje kombëtare të qëndisura, këpucë e sende të lëkurta, armë zjarri ose thika e shpata me dorëza të ngrime n'ergjënd e n'ar, dhe lloj-lloj stolish e lajle me këta dy metale të fisshëm. Punimi i drurit me gdhëndje artistike u bë një mjeshtëri mjaft e përhapur për zbukurimet e brendëshme të shtëpive, kishave e xhamive. Zejtaria shqiptare mori përsëri famën e dikurshme dhe u specializua sipas qytetevet. Armët e ngrira punohëshin sidomos në Shkodër e në Prizrend. Në këto dy qytete dhe n'Elbasan pat lulëzuar njëkohësisht arti i ergjëndarëvet dhe i qëndistarëvet me ato stoli të bukura prej ari edh'ergjëndi, me ato qëndima të veshjes shqiptare, nga më të hijëshmet në botë, që tregonin zotësinë mjeshtërore dhe fisnikërinë e natyrshme të racës sonë. Armët, stolitë dhe plaçkat e punuara në Shqipëri kërkohëshin shumë nëpër tregjet e Ballkanit.
Mbartja (transporti) prej një vendi në tjetrin bëhej n'atë kohë me anën e karvanëvet. Rrugët ishin të ngushta, me të dredhura e në një gjendje fort të keqe, të rrahura vetëm prej kuajsh e mushkash. Shirat dhe baltërat i bënin shumë të vështira udhëtimet. Urat ishin të rralla. Lumenjtë kalohëshin në vah ose me anë lundrash. Për të ndërlidhur bregdetin me krahinat e brendëshme dhe këto midis tyre, kishte disa udhë më të rrahura që ndiqëshin zakonisht prej karvanëvet. Kështu për shembull nisëshin prej Durrësit udhët për Tiranë e Dibër, për Elbasan e Ohër ose për Berat e Vlorë. Nga Shkodra nisej rruga për në Pukë e Prizrend, dhe prej andej për në qytetet e Kosovës. Një tjetër zbriste për në Lesh, Durrës e Tiranë, që merrte pastaj drejtimet Elbasan-Ohër ose Berat-Vlorë. Korça nëpërmjet të Voskopojës lidhej me Beratin, dhe që këtej me Vlorën e Durrësin; nga anë të tjera, lidhej me Ohër e Manastir si edhe me Kostur e Follorinë. Krahinat e jugës, nëpër rrugën që shkonte nga Kakavia, lidhëshin me Janinën, dhe kjo lidhej me detin nëpërmjet skelave të Sajadhës, Gumenicës, Prevezës edh'Artës.
Lumenjtë e Shqipërisë ishin të palundruarshëm, përveç Bunës. Në det, limanet e Shqipërisë nuk kishin flotë tregëtare të tyren, me përjashtim t'Ulqinit. Detarë të zotë në të gjitha kohët, Ulqinakët kishin lart nga 200 barka ose anije me vela, me të cilat çanin valën e kaltërt përmes Adriatikut dhe Mesdheut. Bënin një tregëti të gjallë, siç ishte edhe guximi i tyre. Më vonë, në kohën e Kara Mahmud Bushatit, pati edhe Shkodra një flotë tregëtare te sajnë.
Me gjithë ngritjen e ekonomisë gjatë shekujve XVII e XVIII, mungesa e mjeteve të jetesës u bë më e ndieshme, qoftë nga shtimi i popullsisë dhe i nevojavet, qoftë nga taksat e rënda që shteti turk dhe feudalët e kthyer në pronarë i vinin popullit, sidomos fshatarësisë. Fushat e majme u bënë pronë e bejlerëve dhe e pashallarëve. Malësorët dhe fshatarët e lirë nuk kishin tokë të mjaftuarshme për të bërë bukën e vitit, kurse popullsia shtohej vazhdimisht. Prandaj shkonin për të punuar si argatë nëpër vise të tjera të Ballkanit, ose merrnin udhët e mërgimit nëpër kurbete. Një pjesë e tyre, dhe ajo m'e forta, e kalonte ose e linte jetën në luftë kur Turqia zuri të mblidhte ushtarë me pagesë. Kështu nisën përsëri mërgimet e Shqiptarëvet nëpër kurbete, gjatë shekujve XVII e XVIII, duke vazhduar si një ujë i rrjedhshëm deri në kohët e vona. Energjitë më të mira e braktisnin vendin dhe shkonin e derdhëshin në Stamboll ose nëpër qendra të tjera të Ballkanit e të Lindjes s'Afërme. Turqia dinte gjithashtu t'i shfrytëzonte cilësitë ushtarake të Shqiptarëvet dhe t'i përdorte këta si mish për topa nëpër luftat e saja, që nga Danubi gjer n'Arabi. Më çdo çip të Perandorisë kanë rënë kocka Shqiptarësh, mbi ato të stërgjyshëvet të tyre që patën mbetur në të njëjtat vende për Romën dhe Bizantin.
Sigurisht, varfëria, mungesa e mjetevet dhe e tokës së bukës, ose edhe shtypja feudale, kanë qënë shkaku m'i madh i këtyre mërgimeve, por jo i vetëmi. Popull energjik, por individualist dhe pa lidhje të forta kombëtare, Shqiptarët kanë kërkuar në të gjitha kohët kushte më të mira jetese me anë mërgimesh e nismash të veçanta, seicili për vehte. Nuk kanë qënë kurrë të zotët për një punë të përbashkët ndërtimtare në vendin e tyrej me përjashtim të qëndresës së Skënderbeut. Aleksandri i Madh desh të sundonte botën, Pirroja desh të shtronte Romën; më në fund stërgjyshët tonë u bënë ushtarët ose edhe shtyllat e Romës, e pastaj të Bizantit. Në të njëjtën mënyrë u bënë më vonë ushtarët dhe shtyllat e Perandorisë Otomane.
Kur vinin të varfër në Stamboll ose nëpër qendra të tjera, Shqiptarët punonin si kalldrëmxhinj, kasapë, bozaxhinj, kopshtarë, perime-shitës etj. Por me zgjuarësinë dhe aftësinë e natyrshme, një pjesë e mirë e këtyre të mërguarve ngrihej shpejt në shkallë më të larta. Kushedi sa pashallarë, gjeneralë, administratorë, arqitektë, njerës të kulturës e t'artit - nga më të mëdhenjtë që njeh historia e Turqisë - e kanë pasur rrënjën prej këtyre Shqiptarëve. Disa prej tyre dihen, por kishte shumë që humbisnin në kombësinë turke. Ndërsa vendi i ynë varfërohej nga mërgimet e pandalshme, në popullsinë e sotshme të Turqisë, përveç atyre që u shpërngulën në shekujt e hershëm, po të numërojmë edhe ata qindra mijë Kosovarë që kanë vajtur prej vitit 1913 e tëhu bashkë me Çamërit e të tjerë Toskë të përzënë vatrash në kohën e barbarivet greke, mund të ketë lart nga një milion frymë me origjinë shqiptare, ndonëse të shumtët nuk flasin shqip dhe as që iu kujtohet se ngaha e kanë rrënjën. Pra, gjatë shekujve të sundimit otoman, e tërë shtesa e popullit shqiptar qe shpërndarë nëpër Ballkan ose pat shkuar në Turqi. Përveç më shumë se tridhjetë vezirë të mëdhenj, disa prej të cilëve i kanë dhënë hove ringritjeje Perandorisë Otomane, e sa e sa kumandarë ushtërie a prijësa të kulturës e t'artevet që i fali asaj ky komb në të kaluarën, mund të themi me siguri se edhe në Turqinë e sotshme një pjesë e mirë e elitës, në të gjitha degët e administratës, t'ekonomisë, të diturive e të mjeshtërive të lira, përbëhet prej njerëzish me origjinë shqiptare. Sikurse iu patën dhënë dikur Romës dhe Bizantit gjeneralë e perandorë nga më të mëdhenjtë dhe ushtarë nga më trimat, ashtu vazhduan Shqiptarët t'i jepnin më vonë Perandorisë s'Osmanllinjvet gjakun, mendjen edh'energjinë e tyre më të mirë. Një rol jo më pak të rëndësishëm kanë lozur në kryengritjen dhe rimëkëmbjen e Greqisë. Kanë lënë famë nga trimëria si merçenarë nepër ushtëritë e princave t'Evropës. Me ndonjë figurë të madhe si Mehmet Aliu kanë ringjallur Egjyptin nga gërmadhat e dyzet shekujve, kanë shtruar Sudanin edh'Arabinë. Flasin të drejtën disa historianë kur thonë se Shqiptarët, gjatë dy mijë vjetëve, kanë lozur një rol të madh në historinë e botës së Mesdheut, e cila mund të kishte rrjedhur ndryshe pa pjesëmarrjen e këtyre. Po rolin e kanë lozur në shërbim të të tjerëvet. Kanë qënë të zotët të mprojnë, të kumandojnë e të qeverisin botën e huaj, por kurrë vendin e tyre.
Pas këtij vështrimi të dhëmbshëm, le të këthehemi prapë në Shqipëri dhe të ndjekim fillin e trishtuar të historisë së saj. Anarkia e brendëshme shtohej me çthurjen e autoritetit otoman, kryengritjet krahinore ishin të përhershme, por këto nuk kishin më një kuptim kombëtar: ose bëhëshin prej malësorëve për të mos paguar haraçin, për të mos u shkelur prej bejlerëve e pashallarëve, ose këta të fundit luftonin midis tyre për të zgjeruar zotërimet përtej kufijve të njëri-tjetrit, ose një pjesë e vendit çohej kundër urdhërave të Stambollit kur këto ishin për ngritjen e taksavet dhe të detyrimevet.
Kështu Shqipëria, gjatë sundimit turk, paraqet çuditërisht dy pamje të kundërta: përbrenda vendit të tyre, Shqiptarët janë pothuajse gjithmonë në kryengritje kundër autoritetit të Stambollit. Përjashta, u treguan si një nga shtyllat e Perandorisë Otomane, duke i dhënë asaj ushtarët më të fortë, vezirë e qeveritarë nga më të mëdhenjtë.
Në shekullin XVIII, me disfatat e jashtëme dhe dekadencën e brendëshme të Perandorisë, u çthur edhe sistemi i vjetër feudalo-ushtarak otoman. Spahinj, bejlerë e pashallarë e muarën frerin nëpër këmbë, nuk po iu përgjigjëshin më thirrjevet të Stambollit, dhe timaret e tyre i kthyen në prona trashëgimtare. Duke vazhduar kështu, u bënë pak nga pak si zotër të pavarur. Që në kohët e para të sundimit otoman, por sidomos pas përhapjes s'islamizmit, spahinj, sanxhakbenj e tërë ata që patën qeverisur tokat shqiptare ishin zakonisht vendas. Ushtëritë turke vinin herë pas here sa për të shtruar trubullimet dhe pastaj tërhiqëshin. Me gjithë këtë, Porta e Lartë pat pasur kujdes t'i mbante të ndara krahinat e Shqipërisë e të mos linte që të binin në dorën e një qeveritari të vetëm. Po kur autoriteti i Stambollit nisi të dobësohej, u formuan në Shqipëri pashallëke gjysëm-autonome që s'iu mbahëshin gjithnjë urdhëravet të Portës së Lartë as ndarjevet administrative të vendit. Seicili pasha e shtriu fuqinë e vet aq sa mundi, mbi disa pjesë të sanxhakut ose mbi një a më shumë sanxhaqe. Kështu filloi një luftë e brendëshme ndërmjet pashallarëve shqiptarë për të marrë në dorë sundimin e krahinavet dhe për të zgjeruar pashallëket përtej caqevet të njëri-tjetrit. Të gjithë këta quhëshin sikur qeverisnin n'emër të Sulltanit, derdhnin n'arkën e shtetit turk një pjesë të taksavet që mblidhnin dhe shkonin nganjëherë me ushtëri në luftat e Perandorisë kur s'mund të bënin ndryshe. Por zakonisht nuk i zbatonin urdhërat e Stambollit kur këto ishin kundër interesavet të tyre. Porta e Lartë pat provuar të merrte masa: ua hiqte titullin e qeveritarit ose i transferonte gjetkë, duke i përdorur gjithmonë njërin kundër tjetrit. Por këta, kur ishin mjaft të fuqishëm, nuk tundëshin prej vendit. Atëhere Portës së Lartë s'i mbetej tjetër udhë veçse t'i njihte përsëri me titujt e mëparshëm atje ku ishin ose t'i shpallte fermanli (domethënë të jashtëligjshëm) dhe të dërgonte kundër tyre forca ushtarake për t'i shtypur.
Kjo luftë e brendëshme ndërmjet pashallëkeve që hahëshin për zgjerimin e fuqisë e tolloviti anarkinë më tepër akoma dhe e ndau vendin në tarafe. Disa nga familjet e mëdha u ngritën përmbi të tjerat dhe u quajtën oxhaqe. Secila prej këtyre mundohej të bënte taraf nëpër qytete, nëpër malësitë, ndërmjet bajraktarëvet, në klerin mysliman, duke shfrytëzuar interesat e veçanta ose rivalitetin e një grupi kundër tjetrit. N'atë kohë, me zhvillimin e zejtarisë dhe të tregëtisë, kishte marrë jeta një lëvizje më të gjallë nëpër qytetet. Për të mprojtur interesat e tyre, zejtarët ishin organizuar në korporata, si në Kohën e Mesme, të cilat tani quhëshin turqisht esnafe. I kufizuar brenda qytetit, esnafi përmblidhte ata që ushtronin të njëjtën mjeshtëri ose dy-tri mjeshtëri t'afërme. Nganjëherë edhe esnafët formonin tarafe kundër njëri-tjetrit dhe losnin një rol të rëndësishëm në trazimet e qytetit sikurse në Shkodër për shembull, tarafi i Tabakëvet (lëkurtarëvet) dhe ai i Terzivet (rrobaqepësvet).
Nëpër fshatra e malësi, tollovia nuk ishte m'e pakët. Përveç qëndresës që iu bënin feudalëvet për të mprojtur tokat, fshatarët duhej të duronin shpeshëherë edhe dervenxhinjtë, martallozët e të tjerë kapistra si këta. Në mes të këtij pshtjellimi, nuk mungonin as bandat e hajdutëvet, që i bënin rrugët të pamundshme, si n'Epir, në Maqedoni e gjetkë.
Në gjysmën e shekullit XVIII, anarkia e brendëshme në Shqipëri kishte arritur kulmin. Grindje të mëdha zjenin në sanxhakun e Shkodrës dhe ndërmjet feudalëve të Vlorës e të Beratit. Në Shkodër hahëshin për marrjen e fuqisë oxhaku Çaushollaj me atë të Begollajvet. Këta të fundit ishin nga Peja, por një degë e tyre, vendosur në Shkodër, kish mundur të shtinte në dorë qeverimin e sanxhakut me dekret të Sulltanit. Mirëpo Çaushollajt shkaktonin grindje duke u pështetur në malësorët, n'agallarët e Ulqinit, si edhe në tregëtarët e në tarafin e Terzivet brenda në qytet. Mahmud Pashë Begolli u vra më 1739, dhe vendin e tij si mytesarrif i Shkodrës e zuri Jusuf Çausholli, i cili s'pati vështirësi për të siguruar fermanin e Sulltanit. Por lufta e brendëshme vazhdoi akoma ndërmjet Begollaj e Çaushollaj, ose tarafëve të tyre. Kish ca kohë që Mali-i-Zi ishte shkëputur prej sanxhakut të Shkodrës dhe qëndronte si krahinë praktikisht e pavarur. Po ashtu deshën të bënin agallarët e Ulqinit, të cilët nuk pranonin autoritet mbi krye. Pasi vendin e mytesarrifit, në Shkodër e zunë disa herë me radhë Çaushollaj e Begollaj (këta të fundit pështetëshin sidomos në tarafin e Tabakëvet), dhe grindja s'kishte të sosur Porta e Lartë emëroi si qeveritar të këtij sanxhaku Ymer Pashë Kavajën, më 1755. Qëllimi ishte që të largohëshin prej fuqie të dy familjet kundërshtare e të vihej paqja, por Ymer Pasha ndeshi në të njëjtën luftë tarafesh.
Bejlerët e Vlorës kishin formuar një pashallëk më vehte dhe nuk deshën t'a njihnin autoritetin e mytesarrifit të sanxhakut, Ismail Pashë Velabishtit, i cili qëndronte në Berat. Pas disa përpjekjesh me armë, Ismail Pasha u vra më 1764. Sulltani emëroi si mytesarrif të sanxhakut të Vlorës Ahmet-Kurt Pashën, i cili gjer atëhere kishte qënë dervenxhi-Pasha (domethënë i ruajtjes s'udhëvet) për Toskërinë dhe krejt Epirin. Ky e vendosi qendrën në Berat, ku ndërtoi një palë saraje shumë të bukura me gurët e monumenteve të vjetër të Pojanit (Apollonisë). Ahmet-Kurt Pasha qeverisi 23 vjet, si besnik i Sulltanit, edhe u përpoq t'a shtrinte sundimin mbi tërë Toskërinë dhe Shqipërinë e Mesme, por nuk mundi. Nga juga, s'e shtroi dot Kapllan Pashë Delvinën, kundër të cilit u nis me urdhër të Stambollit; nga veriu, s'e pushtoi dot Tiranën dhe u thye disa herë prej Bushatlijve të Shkodrës. Nuk shkoi mirë as me të dhëndërrin, Ibrahim Pashë Vlorën. Luftat e Ahmet-Kurt Pashës i cili gëzoi gjer në fund besimin e Sulltanit, nuk mundën t'a nxirnin vendin nga anarkia. Pas vdekjes së tij, më 1787, qeverimin e Beratit e mori Ibrahim Pashë Vlora.
Nga vetë zhvillimi i luftës për marrjen e fuqisë, ndërmjet pashallarësh, duhej të delnin disa figura energjike që t'i thyenin kundërshtarët e tyre dhe të formonin pashallëke të mëdha. Ky ligj u vërtetua. Mbi atë thërrmim anarkik, u ngritën më në fund dy pashallëke të gjera, si dy shtete autonome, që lozën një rol të madh brenda dhe jashtë Shqipërisë: Pashallëku i Shkodrës, me Bushatlijtë, dhe ai i Janinës, me Ali Pashë Tepelenën.
Më 1756, në Shkodër vazhdonin trubullimet, sepse Çaushollajt kërkonin të merrnin fuqinë duke përzënë Ymer Pashë Kavajën. Por këtë radhë kishte dalë në skenë një figurë tjetërlloj energjike, Mehmet Bej Bushati. Duke u pështetur në tarafin e vjetër të Begollajvet, e sidomos me ndihmën e esnafit të Tabakëvet, Mehmet Bushati i mposhti kundërshtarët e tij në qytet dhe mori në dorë qeverimin e Shkodrës. Sulltani e njohu mytesarrif, si pas zakonit, dhe i dërgoi titullin pasha. Ky është themelonjësi i Shtëpisë së Bushatlijvet, që mundi t'a qeveriste Shqipërinë e veriut si një principatë pothuajse autonome për 75 vjet, prej 1757 gjer më 1831.
Duke u treguar në fillim si besnik i Portës së Lartë dhe duke përdorur më nj'anë forcën e në tjetrën politikën, Mehmet Bushati ose Mehmet Pashë Plaku, siç është quajtur, vuri qetësi në tërë qarkun e Shkodrës, futi nën sundim Ulqinin, Leshin, dhe e shtriu fuqinë e tij gjer në Shqipërinë e Mesme. Bëri një politikë t'urtë me malësorët duke iu lënë lirinë e vetqeverisjes sipas kanunit të malevet dhe siguroi kështu përkrahjen e tyre. Për të gjitha këto shërbime, Sulltani e nderoi me titullin vezir, që iu dha më vonë edhe Ali Pashë Tepelenës. Djali m'i madh i Bushatliut, Mustafa Pasha u emërua mytesarrif i Dukagjinit, dhe pastaj i Elbasanit. Në këtë mënyrë, Mehmet Pashë Plaku pregatiti në Shqipërinë veriore baza të forta për pasardhësit e tij. Po kur e ndjeu vehten mjaft të fuqishëm, Plaku Bushatli nisi të mos iu mbahej urdhërave të Stambollit, të mos paguante pjesën e t'ardhuravet që duhej t'i shkonin Perandorisë dhe të mos e fshihte qëllimin e tij për t'u bërë sa m'i pavarur. Prandaj thuhet se vdiq i helmuar më 1775.
Në vend të Bushatliut, Sulltani emëroi si mytesarrif të Shkodrës Mehmet Pashë Qystendilin, por Shkodra dhe malësitë nuk e pranuan. Me përkrahjen e vendit, e mori fuqinë Mustafa Pashë Bushati, i biri i Mehmet Pashë Plakut. Porta e Lartë nuk desh ta njihte këtë dhe dërgoi kundër tij një ushtëri, e cila kishte urdhër që "të zhdukte nga faqja e dheut djemtë e fëlliqur të Mehmet Pashë Shkodranit". Por kjo fuqi u thye dhe u shtrëngua të zmbrapsej. Atëhere për t'i vajtur gjoja fjala në vend, ose edhe me qëllim që t'iu shtinte grindjen në familje, Sulltani njohu si qeveritar të Shkodrës jo Mustafanë, por të vëllanë e tij, Mahmud Bushatin, i cili përmendet në histori me emrin Kara Mahmud Pasha. Ky është figura m'e shquar e Bushatlijvet dhe një nga figurat më të forta që ka nxjerrë Shqipëria gjatë sundimit turk. Vuri rregull në krahinat e veriut dhe deri në Shqipërinë e Mesme, i dha shtytje tregëtisë dhe zejtarisë së vendit, siguroi përkrahjen e malësorëvet duke iu njohur liritë zakonore dhe duke sjellë afrimin midis fevet, mbajti në këmbë një ushtëri të fortë dhe ndoqi kundrejt Portës së lartë një politikë të pavarur. U përpoq të përfshinte në pashallëkun e tij Malin-e-Zi, i cili disa kohë më parë ishte shkëputur nga sanxhaku i Shkodrës dhe Porta e Lartë e kishte lidhur me Bosnjën.
Natyrisht, qeveria e Stambollit e kërcënoi disa herë se do ta hiqte nga fuqia, i shkaktoi trazime të brendëshme dhe shtyti kundër tij pashallarët e tjerë të Shqipërisë, sidomos Ahmet-Kurt Pashën e Beratit. Por Kara Mahmudi i shtypi këto lëvizje, e theu Pashanë e Beratit afër Peqinit dhe e shtroi nën urdhërat e tija të tërë Shqipërinë e Mesme. Sulltani atëhere e shpalli fermanli dhe ngarkoi valiun e Rumelisë, Avdi Pashën, që t'organizonte kundër Bushatliut një shpeditë më të gjerë, në të cilën do të merrnin pjesë edhe fuqitë e Bosnjës. Kara Mahmudi e goditi ushtërinë turke në Kosovë, në Gusht të vitit 1785, edhe e theu plotësisht. Këto fitore e bënë emrin e tij të dëgjuar n'Evropë.
Duke manevruar ndërmjet Austrisë dhe Rusisë që shpeshëherë ishin në luftë me Turqinë, Kara Mahmud Bushati mendoi të krijonte një shtet të pavarur i cili të përfshinte, përveç Shqipërisë së veriut dhe së Mesmes, Malin-e-Zi dhe mundësisht Bosnjë e Herzegovinë. Me këtë qëllim u pështet për disa kohë në politikën e Austrisë. Më 1786, ai mblodhi në Podgoricë një kuvend të përgjithshëm krerësh nga viset shqiptare e sllave që desh të bashkonte dhe bëri me t'a një lidhje nën drejtimin e tij. Për t'u treguar i paanshëm ndërmjet fevet, Kara Mahmudi u betua mbë Kuranin dhe mbë Ungjijtë e të dy Kishavet, katolike e orthodokse. Kjo ishte si një çfaqje e parë e lëvizjes ilirike që u ndie më vonë në disa vise sllave. Austrisë i pëlqyen këto përpjekje për bashkimin e forcave ballkanike kundër Turqisë, e prandaj Perandori Jozefi II i dërgoi Kara Mahmudit si dhuratë një kryq t'ergjëndtë. Ndërkaq, Porta e Lartë e kishte "falur" Pashanë e Shkodrës.
Por më 1787, duke përfituar nga lufta ruso-turke dhe nga largimi i forcavet të Rumelisë, Kara Mahmudi hyri në Kosovë, të cilën desh t'a bashkonte me pashallëkun e tij. Përzuri që andej qeveritarë e nëpunës turq dhe i zëvendësoi me besnikët e vet. Sulltani e shpalli fermanli për të dytën herë dhe ngarkoi Mahmud Pashë Ajdosin që t'organizonte kundër Bushatliut një shpeditë të madhe nga toka e nga deti. Njëkohësisht Porta e Lartë emëroi si mytesarrif të Shkodrës kundërshtarin e vjetër të Bushatlijvet, Mehmet Pashë Çaushollin. Kara Mahmudi iu dolli përpara forcavet të Rumelisë edhe i ndali mbi luginën e Drinit. Nga ana tjetër, malësorët e tij i prenë udhën valiut të Bosnjës që po zbriste drejt Shkodrës. Mirëpo, përbrenda kundërshtarët shqiptarë ngritën krye dhe, në bashkëpunim me flotën turke, zunë Tivarin dhe Ulqinin, në Gusht 1787. I goditur në të dy krahët, Kara Mahmudi u shtrëngua të tërhiqej në Shkodër dhe të mbyllej në kështjellen e Rozafatit. Ndonëse i rrethuar nga të gjitha anët dhe i rrahur me artileri të rëndë, Bushatliu s'e humbi toruan. Me ndihmën e malësorëvet që u shkulën të gjithë, myslimanë e katolikë, për të shpëtuar Bushatlinë, dhe duke përfituar nga urrejtja që po shkaktonin në Shkodër ushtëritë armike me plaçkitjet e përdhunimet e tyre, Kara Mahmudi organizoi një sulm të përgjithshëm prej brenda e jashtë qytetit dhe e shpartalloi rrethimin, më 25 Nëntor 1787. Ushtëria turke u thye e u tërhoq, kundërshtarët shqiptarë u nënshtruan, Mehmet Çausholli u vra prej malësorëvet tek po ikte. Kjo fitore e Bushatliut bëri bujë n'Evropë më shumë se të tjerat.
Porta e Lartë nuk mundi t'i vazhdonte vepërimet me armë kundër Pashajt të Shkodrës sepse ndodhej e mbërthyer me Rusinë. Më 1788 hyri edhe Austria në luftë kundër Turqisë. Ishte rasti që Kara Mahmudi të shfrytëzonte gjendjen e jashtëme për të krijuar një shtet të pavarur ose për t'u bërë mbret i Shqipërisë, siç mendohej n'atë kohë. Prandaj afrimi i tij me Austrinë u tregua edhe m'i ngushtë. Për t'i dhënë përkrahjen Pashajt të Shkodrës, Viena kërkonte që ky të hidhej në luftë kundër Turqisë. Kara Mahmudi mendoi t'i loste zaret në këtë drejtim, por ndeshi në fanatizmin e disa qarqeve myslimane, përbrenda, që s'mund t'a gëlltitnin idenë e luftimit krah për krah me shtetet e krishtere kundër Osmanllisë. Kundërshtimi u çfaq haptazi në Shkodër duke pasur në radhët e tij edhe një të vëllanë e Kara Mahmudit, Ibrahim Pashë Bushatin, njeri pa vleftë e turkoman i bindur i Portës së Lartë. Deri tarafi i Tabakëvet, që kishte qënë qysh në fillim i lidhur me Bushatlijtë, zuri të lëkundej. Kara Mahmudi iu ra me grusht të fortë kundërshtarëvet turkomanë duke varur disa prej tyre, nër t'a edhe kryetarin e Tabakëvet, Tahir Agë Jukën. Bisedimet me Austrinë filluan. Viena dërgoi në Shkodër një komision ushtarak të kryesuar prej të besuarit De Brognard. Kërkesat e saja ishin që Kara Mahmudi me Shqiptarët e